
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sonte ka zhvilluar një intervistë ekskluzive për emisionin Prime Time të Kanal10.
Në këtë intervistë u diskutua për marrëveshjen finale mes Kosovës e Serbisë, Gjykatën Speciale, Asociacionin, Ballkanin e Hapur dhe iniciativën franko-gjermane, raporton Gazeta10.
Më poshtë gjeni transkriptën e intervistës së plotë me z.Escobar.
Rexha: Zoti Escobar, faleminderit shumë që pranuat të flisnit për Kanal10.
Escobar: Faleminderit.
Rexha: Si ka qenë dita juaj deri më tani? Cili është qëllimi i vizitës suaj, pasi kenë qenë së fundi dhe keni ardhur përsëri.
Escobar: Kam pasur dy qëllime për këtë vizitë sot. E para, dua të kem konsultime të rregullta me Qeverinë e Kosovës. Kosova është një partner i rëndësishëm dhe situata në Evropë është e rënduar. Duam të sigurohemi që po e ruajmë unitetin me partnerët tanë evropianë për rrugën përpara me ato që po ndodhin në këtë kontinent. Kjo është pjesa e parë. E dyta është që ta inkurajojmë Kosovën të bëjë përparim në dialog. Ka një momentum të ri në dialog dhe besoj se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë këtë rast, sidomos pas asaj që po ndodhë në pjesën tjetër të kontinentit.
Rexha: Para se të flasim për marrëveshjen finale, afati për ndryshimin e targave po afron, në më pak se 10 ditë. Besoj që keni folur për këtë me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. A ka ndonjë zgjidhje, sepse siç mund ta dini vetëm 10 serbë lokalë i kanë ndërruar targat?
Escobar: Dua të filloj duke thënë se Kosova ka të drejtë që ta zbatojë këtë, por ne duam të zbatojmë në një formë paqësore dhe që nuk i ngritë tensionet e që nuk na shpërqëndron nga disa gjëra që duhet t’i bëjmë. Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e SHBA-së, por e gjithë Quintit. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato.
Rexha: A morët zotim për këtë nga Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti?
Escobar: Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga Quinti që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë.
Rexha: Pra, ka një kërkesë formale për Qeverinë e Kosovës që të shtyjë afatin e zbatimit të marrëveshjes për targat për 10 muaj?
Escobar: Kjo është mbështetja jonë për dialogun. Dua ta bëjë shumë të qartë: SHBA-ja nuk është pjesë e dialogut. Dialogu lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Kërkesa formale për këtë vjen nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesi i BE-së. Nëse ai e bën një kërkesë formale, ne e përkrahim plotësisht.
Rexha: Kemi më pak se 10 ditë që Qeveria e Kosovës të përgjigjet për këtë. Por, qëllimi juaj është që të shmanget ajo që ndodhi më 31 korrik, me tensionet në veri të Kosovës?
Escobar: Kjo është e saktë. Por, në fakt është përtej kësaj. Tani, me atë që po ndodhë në Evropë ajo që nuk na duhet janë tensione të reja në Ballkan. Prandaj, ne ishim të zhgënjyer me rezultatet e para të diskutimeve në Bruksel në korrik dhe duam ta shmangim përsëritjen e një momenti të tillë. Ajo që ne nuk duam është që përkushtimi i emisarëve special, duke më përfshirë mua, të drejtohet kah zgjidhja e problemeve dhe menaxhimi i krizave. Duhet të mendojmë strategjikisht se si Evropa e ruan unitetin e saj, si Evropa i shprehë vlerat e saj, dhe si Evropa i mirëpret vendet e Ballkanit në Bashkimin Evropian. Ky është qëllimi i dialogut dhe aty duhet ta kemi vëmendjen, jo te targat, jo te letërnjoftimet, por në gjëra më të mëdha me të cilat po ballafaqohemi.
Rexha: A do të jeni pjesë e ndonjë takimi të ri mes Presidentit serb, Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel në ditët në vazhdim, në mënyrë që të shmanget skenari i njëjtë me korrikun?
Escobar: Nuk e di. Shpresoj të mos jetë e nevojshme.
I takon Kosovës që të veprojë.
Po, në fakt po.
Rexha: Në takimin e fundit, në gusht të dy liderët – kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq thanë se ka pasur diskutime për elementet e marrëveshjes finale. Cili është qëndrimi juaj për atë se si duhet të duket marrëveshja finale? A ka ndryshuar ndonjë gjë?
Escobar: Pozicioni ynë është që marrëveshja finale duhet të jetë një udhërrëfyes për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Elementet e një marrëveshje të tillë varen nga vetë palët. Deri më tash, çdo fjalë e marrëveshjeve është shkruar nga Serbia dhe Kosova, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-ja. Është shumë e mundshme që Evropa do të nisë të kontribuojë në atë se si duhet të duket kjo marrëveshje. Ne nuk do ta bëjmë këtë, por do ta përkrahim plotësisht dhe do të sigurohemi që çkado që del nga kjo nuk do të prekë pavarësinë, sovranitetin dhe funksionalitetin e pavarësisë së Kosovës.
Rexha: Pse SHBA-ja nuk do të japë kontribut për atë se si do të duket marrëveshja finale?
Escobar: Sepse i përket Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të duket e ardhmja e marrëdhënieve të tyre – me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian. Duhet të jetë një proces që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian. Ju jeni në Evropë dhe aspiratat e të dyja vendeve janë që të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Dhe, kur ky proces të përfundojë do të hapë për ju mundësi më të mira ekonomike dhe të ardhme më të mirë politike. Prandaj, ne e mbështesim plotësisht këtë.Por, ne mbështesim edhe inkuadrimin e plotë të Kosovës në struktruat euro-atlantike, ku kemi zë. Por, për tani është e rëndësishme që të fokusohemi në dialog.
Rexha: Dhe, ky është një proces që udhëhiqet nga Gjermania dhe Franca dhe siç e keni parë ka një propozim që ka qarkulluar në media për marrëveshjen finale, që do ta inkuadronte Kosovën në OKB, por pa njohje formale nga Serbia. Cili është qëndrimi amerikan për këtë?
Escobar: Propozimi ynë është që çkado që këto shtete evropiane sugjerojnë nëpërmjet dialogut, duhet të merret seriozisht. Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike.
Rexha: Pra, propozimi franko-gjerman që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së, është diçka që SHBA-ja e mbështet plotësisht?
Escobar: Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane.
Rexha: Por, SHBA-ja gjithmonë ka folur për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se nëse Kosova anëtarësohet në OKB, njohja formale nga Serbia nuk është e nevojshme?
Escobar: Mendoj, se njohja do të ndodhë, do të duhet të ndodhë dikur në një fazë më vonë. Çështja është për kohën se kur do të ndodhë kjo njohje. Por, ajo që është e rëndësishme për Kosovën është që të nisni një rrugë më të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, duke përfshirë njohjen nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Kjo është më e rëndësishmja që mund të nxirrni se çkado tjetër në proces.
Rexha: A do t’i hapte kjo rrugë Kosovës që të anëtarësohet edhe në NATO?
Escobar: Shpresoj, shpresoj, sepse tani siç e dini i keni pesë shtete mosnjohëse në BE dhe katër prej tyre janë anëtare të NATO-s. NATO-ja është një organizatë që bazohet në konsenus, prandaj pa përkrahjen e këtyre shteteve, do të jetë shumë e vështirë për Kosovën të bëhet anëtare e NATO-s. Prandaj, Evropa e ka shtruar rrugën për integrimin e Kosovës. Kjo rrugë është dialogu i lehtësuar nga BE-ja, prandaj ne plotësisht e mbështesim atë që po ndodhë me dialogun, dhe mbështesim plotësisht Kosovën që ta marrë procesin seriozisht dhe t’i marrë shumë seriozisht rekomandimet e shteteve që e kanë ndihmuar Kosovën në gjithë këtë përpjekje.
Rexha: Siç e keni parë, ka rezistencë nga Kosova. Kryeministri Kurti e presidentja Osmani as që e pranonin se ekziston një propozim i tillë. Thonë që nuk është zyrtar, është vetëm në media dhe e kanë hedhur poshtë për një kohë këtë propozim. A është këshilla juaj që ta marrin seriozisht propozimin? A është për momentin mënyra e vetme që Kosova të marrë njohjen ndërkombëtare që e kërkon?
Escobar: Nëse Bashkimi Evropian, nëpërmjet dialogut e jep një propozim, ai duhet të merret shumë seriozisht. Ky është pozicioni ynë.
Rexha: Ky propozim kundërshtohet edhe nga Serbia. Presidenti Vuçiq thotë se Serbia kurrë nuk do të lejojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.
Escobar: Unë e inkurajoj edhe Serbinë, që nëse ka një propozim që vjen përmes dialogut, ta marrë shumë seriozisht. Detajet e kësaj marrëveshjeje varen nga negociatorët, dhe nga ndërmjetëuesi dhe emisari i posaçëm i BE-së. Ne i japim përkrahje politike këtij procesi.
Rexha: Por, ju insistoni që kjo është diçka që duhet të udhëhiqet nga evropianët. Njerëzit këtu në Kosovë do të donin që një marrëveshje të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë, që SHBA-ja të jetë garantuesi kryesor i marrëveshjes.
Escobar: Ne do të marrim pjesë në çdo strukturë që garanton stabilitet dhe siguri në rajon. Negociatat duhet të jenë evropiane, sepse ju duhet të përmbushni standardet evropiane në mënyrë që të ecni përpara me të ardhmen tuaj evropiane. Kjo nuk do të thotë që SHBA-ja ka rol pasiv, ne kemi një rol mjaft aktiv. Ne do të japim mbështetje politike, financiare, teknike dhe do të sigurohemi që kjo marrëveshje është e mirë për Kosovën dhe integrimin e saj euro-atlantik.
Rexha: A ka një afat kohor se sa do të zgjasë kjo. Dialogu po vazhdon qe 11 vjet dhe të gjithë duan që të përfundojë. A keni shpresë se do të përfundojë brenda këtij viti ose vitit tjetër, që Kosova e Serbia t’i përgjigjen këtij propozimi?
Escobar: Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh.
Rexha: Për marrëveshjen finale?
Escobar: Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjëi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon. Ne do të donim ta shihnim Kosovën të rreshtohet më shumë sa i përket çështjeve të stabilitetit rajonal dhe kjo është rruga për ta bërë.
Rexha: A ka kjo ndonjë lidhje me refuzimin e Kosovës për t’iu bashkuar Ballkanit të Hapur. A e inkurajoni Kosovën që të bëhet pjesë e procesit?
Escobar: SHBA-ja i përkrahë të gjitha nismat që e afrojnë rajonin ekonomikisht, duke përfshirë Ballkanin e Hapur. Por, ato duhet të jenë në përputhje me Procesin e Berlinit, duhet t’iu afrojnë me Evropën. Nismat duhet të rreshtohen me Evropën, dhe duhet të jenë gjithëpërfshirëse për të gjitha vendet e rajonit, pa asnjë kusht. I përket Kosovës të vendosë nëse dëshiron të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, por besoj se të gjitha elementet e bashkëpunimit ekonomik e ndihmojnë rajonin.
Rexha: A folët sot për Asociacionin e Komunave Serbe?. A është parakusht para se të arrihet marrëveshja finale?
Escobar: Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën. Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës. Por, duke thënë këtë ka shumë, shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë,që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po – do të donim ta shihnim duke u zbatuar.
Rexha: A morët zotim nga Presidentja Osmani ose kryeministri Kurti për këtë?
Escobar: Paj, ne diskutuam disa modele, opsione e vizione për këtë. Kam besim se do ta zbatojnë, sepse është një marrëveshje e nënshkruar në Bruksel.
Rexha: Kosova është në linjë me BE-në dhe SHBA-të pas pushtimit rus të Ukrainës, ka sanksione ndaj Rusisë, që Serbia nuk i ka vënë. A po i bëni presion Serbisë për këtë dhe a jeni të kënaqur me atë që Kosova po bën për Ukrainën?
Escobar: Jam shumë i lumtur me atë që Kosova po bën për Ukrainën. Mendoj se është e rëndësishme që Ukraina të mbështetet në këtë moment shumë, shumë të rëndësishëm, sepse kjo ka të bëjë me stabilitetin dhe sigurinë në Evropë. Ka vetëm një mënyrë për ta parë këtë krizë. Sa i përket Serbisë, po absolutisht, jo vetëm që i inkurajojmë që ta qartësojnë pozicionin e tyre dhe ta kuptojnë qartësisht se çka do të thotë kjo për Evropën, por sipas procesit të përafrimit me BE-në, ata obligohen ligjërisht që të rreshtohen me politikat dhe masat evropiane. Prandaj , i inkurajoj ta bëjnë këtë dhe besoj se do të ishte ide e mirë që ta bëjnë.
Rexha: Sa gjatë do të prisni për këtë? Janë bërë disa muaj tashmë që lufta ka nisur.
Escobar: Do të them, se ne e kemi këtë diskutim sa herë që takohemi me Serbinë dhe do ta lë me kaq. Por, shpresoj se do të kemi lëvizje.
Rexha: Ka disa emra në Listën e të sanksionuarve të Thesarit të SHBA-së nga Kosova, dhe njëri prej tyre është nënkryetari i Listës Serbe, që është parti serbe me 10 deputetë në Kuvend. Ai është aktiv në politikë. Cili është qëndimi juaj për këtë, a duhet këta njerëz të izolohen dhe a do të ketë emra të rinj nga Kosova në listë?
Escobar: Shikoni, ka arsye pse njerëzit përfundojnë në atë listë. Dhe, ky nuk është vendim politik, por është një vendim i disa agjencive financiare, institucionale dhe politike se kush përfundon në listë. Pozicioni ynë është që për njerëzit që përfundojnë në këtë listë, qeveritë dhe institucionet duhet ta marrin këtë seriozisht. Unë nuk takoj askënd që është në listë, as nuk pres që t’i takoj dhe mendoj se njerëzit e tillë duhet të trajtohen përkitazi.
Rexha: A mund të ketë emra të rinj, sepse lidhen me korrupsion e krime financiare. SHBA-ja i shikon zhvillimet dhe shton emra herë pas here, apo jo?
Escobar: Po, kjo është e saktë.
Rexha: Edhe një pyetje të fundit, nëse i kemi nja dy minuta. Dua të flasim për stablitetin rajonal në përgjithësi të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si i shihni zhvillimet në Malin e Zi, Bosnjë, Shqipëri?
Escobar: Më duhet të them që ekzistojnë kërcënime për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Shumë prej këtyre kërcënimeve vijnë nga jashtë. Prandaj, duhet t’i identifikojmë dhe t’i izolojmë këto kërcënime nga ndikimet e këqija nga jashtë, që vijnë drejt partnerëve tanë.
Rexha: Nga Rusia?
Escobar: Kryesisht nga Rusia, por jo vetëm. Kërcënimet vijnë në forma të ndryshme, politike, sociale dhe së fundi kibernetike. Prandaj, po shohim që të krijojmë marrëdhënie më të afërt me partnerët tanë, duke përfshirë Kosovën, se si të mbrohemi nga kjo. Dhe, është e vërtetë që ka disa shtete që janë të cenueshëm dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me Quintin, Bashkimin Evropian e nëpërmjet NATO-s për të parë se si do t’i adresojmë këto.
Rexha: A e përkrahni vendimin e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë sa i përket ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje?
Escobar: Po, e përkrahi. Përfaqësuesi i Lartë e ka një mandat të pavarur që parashihet në Dejton dhe ne mbështesim jo vetëm prezencën e vazhdueshme të Përfaqësuesit të Lartë, por edhe autoritetin e tij.
Rexha: Boshnjakët besojnë se ky është segregim ndaj tyre.
Escobar: Në fakt, nuk është. Është më komplekse se aq. Ka disa struktura në Marrëveshjen e Daytonit dhe në Kushtetutën e Bosnjës që bëjnë thirrje për përfaqësimin e tri etnive që e përbëjnë Bosnjën dhe të tjerëve. Dhe, brenda asaj hapësire të ngushtë ai e mori vendimin.
Rexha: Edhe 30 sekonda. Nëse SHBA-ja e përkrah ende punën e Gjykatës Speciale, sepse ka një iniciativë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Këshillin e Evropës për raportin e Dick Martyt që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale. Ai dëshiron që raporti të hidhet poshtë sepse nuk kishte vjedhje organesh, as shtëpi të verdhë në Shqipëri, dhe pyetja është a e përkrahni punën e Speciales, dhe si e shihni këtë iniciativë?
Escobar: Ne e përkrahim punën e Speciales. Unë besoj se çdo herë e më shumë krimet e kryera në vitet ‘90 duhet të trajtohen nga autoritetet vendëse, në mënyrë të drejtë dhe proces të duhur. Por, besoj se ende ka nevojë për Gjykatën Speciale dhe mekanizmat që e përkrahin këtë organizëm. Prandaj, po, e përkrahim Gjykatën Speciale.
Rexha: Faleminderit shumë që keni folur për Kanal10, zoti Escobar.
Escobar: Faleminderit juve.
/Gazeta10