
Lobisti dhe strategu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Christopher Hyland, në një intervistë ekskluzive për emisionin Politiko në Kanal10, ka folur për zhvillimet e fundit në Venezuelë.
Hyland theksoi se populli venezuelian ka kaluar më shumë se 15 vjet nën një regjim brutal, duke përjetuar vështirësi të mëdha ekonomike dhe shoqërore.
“Duhet ta kujtojmë se populli venezuelian ka jetuar për më shumë se 15 vjet nën një regjim brutal,” deklaroi ai.
Duke komentuar pretendimet se presidenti amerikan Donald Trump ka pasur interesa të drejtpërdrejta në industrinë e naftës në Venezuelë, Hyland i hodhi poshtë këto akuza.
“Shpesh dëgjoj njerëz duke thënë se Trump po merr përsipër industrinë e gjerë të naftës. Ajo që Trump ka bërë, në thelb, është të thotë se të gjithë do të marrin pjesë në përmirësimin e ekonomisë venezueliane,” u shpreh Hyland.
Ai kujtoi gjithashtu se në të kaluarën, miliona dollarë investime amerikane janë shfrytëzuar në Venezuelë, por pa sjellë përfitime reale për qytetarët e këtij vendi.
Sipas Hyland, Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes strategjik për naftën venezueliane.