
Edhe Gjermania i bën thirrje direkte Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti që të shtyjë edhe për disa muaj zbatimin e vendimit për targat ilegale të serbëve.
Në një intervist për Prime Time në Kanal 10, ministrja për Evropë dhe Klimë në qeverinë gjermane, Anna Lührmann ka thënë se targat duhet të largohen, por duhet ende kohë për këtë.
“Ne kuptojmë plotësisht pozicionin e Qeverisë së Kosovës në këtë rast, se target e vjetra duhet të largohen, por gjithashtu ky është një proces i komplikuar administrativ, dhe duhet bërë në një mënyrë që nuk do të nxisë tensione, por të ndihmojnë në zgjidhjen e kësaj çështje. Mendoj se mund të na duhet edhe pak kohë. Dhe mund të të them vetëm diçka, unë jam pjesëtare e Partisë së Gjelbër në Gjermani dhe e kishim shumë të rëndësishme që deri të fund të vitit , të arrinim ta hiqnim nga përdorimi energjinë bërthamore në vendin tonë, por tani, për shkak të rrethanave të reja, jemi pajtuar t’a shtyjmë këtë, deri në pranverë të vitit të ardhshëm. Pra mendoj, ndonjëherë në politikë, rrethanat ndryshojnë dhe kur e sheh që situata nuk është në rregull, të duhet t’i pezullosh gjërat për pak kohë. Por, si vendim, është e qartë se kjo çështje duhet të zgjidhet dhe target e vjetra duhet të largohen, por kjo duhet të ndodhë në një mënyrë që nuk nxitë tensione. Do t’ua them krerëve të Kosovës që do të ishte gjë e mençur, për ta shtyrë afatin”, ka thënë Lührmann në intervistën për Kanal 10.