
Kryetari i OVL dhe UÇK-së, Hysni Gucati u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohet protestës për çlirimtarët e cila do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
“Është e thirru një protestë, nga Liria ka Emër më 12 shtator, ku ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës, duke u bazuar në rregulloren tonë, në statusin që kemi, unë u bëj ftesë të gjithë qytetarëve, që t’i bashkëngjiten protestës”, u shpreh Gucati gjatë një konference për media.
Megjithatë, ai tha se si organizatë nuk mund të jenë të pranishëm në këtë protestë, për faktin siç tha ai, që i është bërë ftesë Vetëvendosjes dhe liderit të saj të jenë pjesëmarrës në këtë marsh.
“Ne do ta mbështesim protestën dhe bëjmë thirrje të dalin në protestë e të jetë një protestë madhështore nga qytetarët, nga veteranët, nga të gjitha strukturat, por ne nuk mund të jemi aty kur ata i bëjnë thirrje Vetëvendosjes, kur ne e dimë që lideri i tyre në Parlamentin e Kosovës e quan kriminel Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët, ku thotë se ‘Serbia ka bërë krime, por që konsumi’ thotë ai, ‘këta mbrapa meje janë kriminel’”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, Gucati tha se OVL e UÇK-së do të jetë më shumë e fokusuar në arenën diplomatike ndërkombëtare, pasi siç u shpreh ai, ekziston mundësia që verdikti final për katërshen e UÇK-së të jetë, sipas tij, politik.
“Nuk mund të jem aty me deputetët e tij, ku më heqin nga paga minimale me Listën Sërpska, para tri viteve mos gabofsha, sepse unë kam qenë në burg në atë kohë, na heqin nga paga minimale veteranët e UÇK-së, të cilët sot janë në gjendje të mjerueshme, 67 me kancer. Ne sot, kemi marrë një vendim, ky vendim është marrë duke u bazuar në qëndrimin tonë, që nga themelimi i Gjykatës Speciale, pasi kemi qenë të bindur se ajo ka qenë politike dhe vazhdon të jetë e ndikuar politikisht, dhe duke pasur parasysh zhvillimet e fundit dhe mundësinë e një vendimi politik, ne do të fokusohemi në arenën ndërkombëtare diplomatike”, tha mes tjerash kreu i OVL-UÇK-së.