Kontaktoni

info@gazeta10.com

10plus

U godit me thikë gjatë fjalimit, humb shikimin në njërin sy shkrimtari Salman Rushdie

Gazeta10
24 October 2022 - 7:11

Salman Rushdie, shkrimtari që u sulmua me thikë teksa po mbante fjalim në New York ka humbur shikimin në njërin sy, transmeton Gazeta10.

Siç raporton The Guardian, Rushdie pësoi tre plagë serioze në qafë dhe 15 plagë të tjera në kraharor dhe në trup, prej të cilave humbi shikimin në njërin sy dhe mbeti i paralizuar nga njëra dorë.

Lidhur me rastin është arrestuar si i dyshuar 24-vjeçari Hadi Matar, nga Fairview i Nju Xhersit.

Kush është Salman Rushdie?

Romancieri me origjinë indiane mori famë me veprën ‘Midnight’s Children’ në 1981, ku shiti mbi një milion kopje vetëm në Mbretërinë e Bashkuar. Por libri i katërt i Rushdie, në 1988 – Vargjet Satanike, e detyroi atë të fshihej për plot nëntë vjet.

Romani surrealist, post-modern, “Vargjet Satanike”, është ndaluar në Iran që prej atij viti, pasi ngjalli shumë zemërim dhe muslismanët e konsiderojnë atë si blasfemi.

Një vit më vonë, lideri i ndjerë i Iranit Ayatollah Ruhollah Khomeini lëshoi një dekret, duke bërë thirrje për vdekjen e Rushdie. Madje është ofruar një shpërblim prej 3 milion dollarësh për këdo që vriste Rushdie.

Në vitin 2012, një fondacion fetar gjysmë zyrtar iranian e ngriti shpërblimin për Rushdie nga 2.8 milionë dollarë në 3.3 milionë dollarë.

Dhjetëra njerëz vdiqën në dhunën që pasoi botimin e veprës, përfshirë edhe përkthyes të vrarë të veprës.

Shpërblimi mbi kokën e Rushdie mbetet aktiv, megjithëse qeveria e Iranit është distancuar nga dekreti i ‘Khomeinit’.

Autori, i cili ka nënshtetësi britanike dhe amerikane, është një avokat i zëshëm i lirisë së shprehjes dhe ka mbrojtur veprën e tij në disa raste.

Salman Rushdie prej vitesh kishte hequr dorë nga eskorta dhe nuk u kishte dhënë rëndësi kërcënimeve që vinin në adresë të tij.

75-vjeçari kishte njoftuar se do publikonte në 2023 librin e tij të ri./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.