
Sot gjatë ditës në Prishtinë u mbajt marshimi i organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Qytetarë të shumtë iu bashkuan marshit, duke shprehur solidaritet dhe përkrahje për ish-drejtuesit e UÇK-së. Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, numri i të pranishmëve ishte shumë i madh.
Lidhur me këtë ngjarje foli edhe kameramani që ka dokumentuar pamje nga periudha e luftës, Sylejman Kllokoqi.
Ai u shpreh se pjesëmarrja në marsh ishte e jashtëzakonshme, duke theksuar se një numër i tillë qytetarësh nuk ishte parë as në kohën kur u shpall pavarësia e Kosovës.
“Pata një gëzim shumë të madh kur pashë se kaq shumë njerëz kanë dalë. M’u duk se ishin edhe më shumë se kur u shpall pavarësia. Me të vërtetë pati shumë,” u shpreh ai.