
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se një ish-marins amerikan, i cili mbahej në një burg në Rusi dhe ishte në gjendje shumë të rënduar shëndetësore, është liruar.
Trump tha se lirimi i 32-vjeçarit Robert Gilman u arrit pas diskutimeve të tij me presidentin rus, Vladimir Putin, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim “mbi baza humanitare” dhe se nuk pati shkëmbim të të burgosurve.
“Pas diskutimeve të mia me presidentin Vladimir Putin, Rusia ka rënë dakord ta lirojë atë, shumë në baza humanitare”, shkroi Trump në Truth Social.
Gilman, nga Massachusetts, ishte arrestuar në vitin 2022, pasi dyshohej se kishte goditur me shqelm një oficer policie derisa ndodhej në një tren.
Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm gjatë qëndrimit në burg. Së fundmi, ai ishte transferuar nga burgu në një spital civil në Rusi, pasi kishte hyrë në një gjendje të ngjashme me katatoninë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Trump tha se Gilman ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara me avion, i shoqëruar nga nëna e tij, mjekë dhe pjesëtarë të administratës amerikane.
Sipas familjes së tij, Gilman pritet të dërgohet në një spital ushtarak amerikan në Teksas, ku do t’i nënshtrohet vlerësimeve dhe trajtimit mjekësor.
Familja ka deklaruar se gjendja e tij ishte “kërcënuese për jetën”, duke pretenduar se ai ishte përballur me trajtim të ashpër dhe abuziv gjatë qëndrimit në paraburgim.
“Më vjen keq që rusët e trajtuan vëllain tim kaq keq. Ata e lënduan pa asnjë arsye, përveç faktit se ishte amerikan dhe marins”, tha motra e tij, Lexi Hudson.
Ajo falënderoi Trumpin për ndërhyrjen, duke thënë se presidenti amerikan “i shpëtoi jetën” vëllait të saj. Sipas saj, edhe senatori i Massachusetts, Ed Markey, kishte ndihmuar në sigurimin e lirimit të Gilmanit.