
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, të cilët i kërkuan shtyrjen e vendimit për targat.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim është biseduar lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që obligon pronarët e mjeteve me targa ilegale që të njëjtat t’i kthejnë në targa zyrtare RKS.
“U prezantua propozimi i Qeverisë lidhur me targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”. Gjatë këtij takimi u ritheksua përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ligjshmëri, paqe dhe siguri”, thuhet në njoftim./Gazeta10