
Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të atdhetarit Naser Shala, më 28 prill 2026 në Malishevë u mbajt një akademi përkujtimore ku morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë për të nderuar jetën dhe veprën e tij.
Programi artistik u realizua nga formacioni “Besjana & Të mirët e Kombit”, me pjesëmarrjen e këngëtares Besjana Mehmeti, e cila theksoi se ishte privilegj, por edhe përgjegjësi të flitej për figurën e komandantit Shala. Sipas saj, ndonëse është bërë një vit nga ndarja e tij fizike, ai mbetet i pranishëm në zemrat dhe kujtimet e të gjithëve.
Mehmeti vlerësoi se kjo akademi kishte një veçanti të rrallë krahasuar me aktivitetet e tjera të ngjashme, pasi çdo fjalim ishte i përqendruar ekskluzivisht në personalitetin dhe figurën e komandantit, gjë që e bëri ngjarjen edhe më domethënëse.
Udhëheqësi artistik i formacionit, Shkodran Tolaj, u kujdes për aspektin programor dhe teknik, duke harmonizuar fjalimet me pika muzikore që i dhanë ngjyrë të veçantë akademisë.
Një moment i veçantë ishte interpretimi i artistit nga Shqipëria, Llesh Nikollë, i cili solli poemën “Zgjohu Kosovë”, duke emocionuar të pranishmit.
Akademia mblodhi pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, duke dëshmuar respektin dhe mirënjohjen e gjerë për kontributin dhe trashëgiminë e komandantit Naser Shala.