
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi në Politiko tha se partia e tij nuk i ka dëshiruar zgjedhjet e reja, por sipas tij, ato janë bërë të pashmangshme pas bllokadës politike rreth zgjedhjes së presidentit.
Rrustemi tha se Kosova nuk ka pasur nevojë për zgjedhje, duke theksuar se LVV-ja është angazhuar maksimalisht për t’i shmangur ato.
“Padyshim e kemi thënë vazhdimisht se këto zgjedhje nuk i kemi dashur dhe jemi angazhuar maksimalisht që t’i shmangim. Kosova nuk ka pasur nevojë për zgjedhje, por tash është pakt i kryer dhe tani jemi në këtë betejën politike drejt fushatës zgjedhore”, deklaroi ai.
Sipas Rrustemit, zgjedhjet do t’i kushtojnë rreth 10 milionë euro buxhetit të shtetit, derisa vendi do të humbasë edhe dhjetëra milionë euro të tjera nga projekte ndërkombëtare për shkak të mungesës së funksionimit të plotë të institucioneve.
Ai tha se mungesa e Kuvendit dhe mosmiratimi i ligjeve të parapara në agjendën legjislative kanë ndikuar negativisht në procese të rëndësishme shtetërore.
Rrustemi fajësoi opozitën për situatën politike që çoi në zgjedhje, duke thënë se kriza erdhi si rezultat i “barrikadimit” dhe refuzimit të ofertave të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje për çështjen e presidentit.
“Jemi këtu për shkak të një barrikadimi të opozitës dhe të refuzimit të secilës ofertë dhe propozim të Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh ai.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/dFwAPaRyQQo