Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Apeli i mjekut emergjent: Kur jeni pas timonit, mendoni se keni në dorë jetën tuaj dhe të tjerëve

Gazeta10
21 May 2026 - 9:07

Burim Maloku, specialist i Mjekësisë Emergjente dhe Radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë dhe Kapiten në Forcën e Sigurisë së Kosovës, pas rritjes së rasteve nga aksidentet në trafik, përmes faqes së spitalit ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë vozitjes për të shmangur ato.

Përmes këtij apeli, ai bën thirrje me urgjencë që qytetarët të respektojnë rregullat në trafik, duke shtuar se kur të njëjtit janë duke vozitur, të mendoni për ata që ju presin në shtëpi, transmeton Klankosova.tv.

Apeli i doktorit Burim Maloku:

Si mjek në Shërbimin e Emergjencës dhe si ushtarak, dita ime nuk matet me orë, por me rrahje zemre dhe gatishmëri absolute. Çdo ditë, unë dhe kolegët përballemi me një paradoks të dhimbshëm.

Megjithëse puna e policisë së trafikut është jashtëzakonisht profesionale në terren, dyert e emergjencës po pranojnë çdo ditë e më shumë pacientë të lënduar rëndë në aksidente rrugore.

Në dhomat e emergjencës dhe para imazheve radiologjike, ne shohim atë që syri i zakonshëm nuk e sheh, thyerjet e rënda, gjakderdhjet e brendshme dhe shkatërrimin që lë pas pakujdesia.

Pas çdo sirene të ambulancës fshihet një jetë e rrezikuar, një familje që pret jashtë në ankth të tmerrshëm dhe, shpeshherë, një tragjedi e zymtë.

Shumica e këtyre tragjedive mund të ishin parandaluar. Ju bëj thirrje me urgjencë dhe me zemër:

-Respektoni shpejtësinë e lejuar! Shpejtësia të jep iluzionin e kohës, por të merr kontrollin mbi jetën.

-Mos përdorni telefonin gjatë vozitjes! Asnjë mesazh apo thirrje nuk vlen sa sekonda që ju ndan nga goditja.

-Vendosni rripin e sigurisë! Ai është vija e parë e mbrojtjes mes jush dhe një traume fatale.

-Mos drejtoni automjetin nën ndikimin e alkoolit apo lodhjes! Reflekset e ngadalësuara në timon janë një armë e heshtur.

-Keni kujdes të shtuar për këmbësorët! Ata janë pjesa më e pambrojtur e rrugës.

-Mos harroni: Secila pakujdesi, qoftë edhe për një sekondë, mund të shkaktojë një aksident trafiku me pasoja të pakthyeshme.

Kur të uleni pas timonit, mendoni për ata që ju presin në shtëpi. Mendoni se keni në dorë jetën tuaj dhe të të tjerëve. Asnjë destinacion në këtë botë nuk vlen më shumë se jeta!

Drejtoni automjetin me kujdes, me disiplinë dhe përgjegjësi qytetare. Na ndihmoni që të mos ju shohim në emergjencë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.