Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mali i Zi shënon 20 vjet nga rikthimi i pavarësisë shtetërore

Gazeta10
21 May 2026 - 12:30

Me një sërë manifestimesh, koncertesh dhe deklaratash nga zyrtarët se rruga drejt Bashkimit Evropian, uniteti qytetar dhe forcimi i institucioneve mbeten prioritetet kryesore, Mali i Zi shënon sot njëzet vjet nga referendumi i vitit 2006, me të cilin riktheu pavarësinë shtetërore.

Me këtë vendim, pas 88 vjetësh, Mali i Zi u bë sërish i pavarur.

Në referendum votuan 86.5 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Prej tyre, pavarësinë e mbështetën 55.5 për qind, ndërsa 44.5 për qind votuan për qëndrimin në një shtet të përbashkët me Serbinë.

Sot, 20 vjet më vonë, sipas sondazheve të opinionit publik, idenë e një Mali të Zi të pavarur do ta mbështesnin rreth 70 për qind e qytetarëve.

Fushatën e atëhershme për pavarësi e udhëhoqi lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq.

Pyetja e referendumit ishte: “A dëshironi që Republika e Malit të Zi të jetë shtet i pavarur me subjektivitet të plotë ndërkombëtar?”

Fushata e referendumit u zhvillua në një atmosferë tensionesh mes bllokut për pavarësi dhe partive proserbe që kërkonin shtet të përbashkët me Serbinë.

Në këtë proces morën pjesë edhe pakicat kombëtare, të cilat ishin pjesë e bllokut për pavarësi.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se dy dekada pas rikthimit të pavarësisë, Mali i Zi ka një ide që e bashkon dhe e udhëheq – “Mali i Zi evropian dhe projekti i një Evrope të bashkuar”.

Në një ceremoni me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë, Spajiq tha se referendumi i vitit 2006 ishte një hap i madh, por vetëm hapi i parë në ndërtimin e shtetit, raportoi Radio Televizioni i Malit të Zi.

Njëzet vjet pas referendumit, Mali i Zi është një shtet i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i NATO-s dhe “kandidat i radhës” për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht mbetet një vend me ndarje të thella politike dhe me ndikim të fortë të Kishës Ortodokse Serbe.

Ai ka përjetuar trazira të shumta politike, por edhe një ndryshim paqësor të pushtetit në vitin 2020, kur fituesit e referendumit ua dorëzuan pushtetin atyre që në vitin 2006 ishin kryesisht për bashkim me Serbinë./REL/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.