
Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Bashkësinë Islame e Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku është pritur nga myftiu Naim Tërnava.
Me këtë rast, Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për punën dhe angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj në mbështetjen e familjeve në nevojë dhe forcimin e solidaritetit shoqëror.
“Ata që kanë më së shumti nevojë po ndihmohen vazhdimisht, jo vetëm në këtë Kurban Bajram, por në çdo situatë tjetër, duke u siguruar që sofrat e tyre të jenë plot dhe që edhe ata ta festojnë këtë ditë me begati”, deklaroi Osmani transmeton Klankosova.tv.
Ajo po ashtu falënderoi kryemyftiun dhe bashkëpunëtorët e tij për bashkëpunimin institucional dhe kontributin në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Sipas Osmanit, Bashkësia Islame e Kosovës ka luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e mbështetjes ndërkombëtare për vendin.
“Në të njëjtën kohë dua t’i falënderoj për bashkëpunimin që e kemi pasur për ta ngritur edhe më shumë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, për ta forcuar edhe më shumë dhe për t’u siguruar që sa më shumë shtete anekënd botë ta mbështesin Republikën tonë. Ky është një kontribut atdhetar të cilin Bashkësia Islame e Kosovës vazhdon ta japë”, tha ajo.
Vizita u realizua në kuadër të pritjeve tradicionale me rastin e festës së Kurban Bajramit.