
Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se ka nisur zbatimi i iniciativës WiFi4WB, e cila synon ofrimin e internetit falas në vendet më të frekuentuara nga qytetarët.
Në kuadër të këtij aktiviteti, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur drejtorin gjeneral të GIZ-it për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, David Oberhuber, si dhe shefin e seksionit për Integrim Evropian, Çështje Politike, Media dhe Informim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda.
Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, palët kanë vizituar sheshin e qytetit, ku tashmë është instaluar rrjeti WiFi4WB.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka theksuar se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të hapësirave publike në qytet.
“Internet falas në Gjilan, në vendet më të frekuentuara nga qytetarët”, ka deklaruar Hyseni.
Ai ka shtuar se ky investim u mundëson të rinjve, studentëve, bizneseve dhe qytetarëve qasje më të lehtë në informacion dhe shërbime digjitale.
“Kur zotimet kthehen në projekte konkrete, përfitues është gjithmonë qytetari. Faleminderit partnerëve tanë për besimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer”, është shprehur kryetari i Komunës së Gjilanit.