Kontaktoni

info@gazeta10.com

Opinion 10

KOSOVA KA NEVOJË PËR NJË SPAK!

Gazeta10
14 June 2026 - 20:01
Shkruan: Taulant Hodaj

Po përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit në Shqipëri lidhur me hetimet për tjetërsimin e pronave dhe rolin aktiv që po luan SPAK-u në trajtimin e këtyre rasteve.

Nuk pretendoj t’i njoh në tërësi të gjitha detajet faktike apo juridike të rasteve konkrete që po hetohen në Shqipëri.

Megjithatë, vetë skema e dyshimeve që po hetohet nga SPAK-u tregon për një fenomen jashtëzakonisht shqetësues, i cili ka vazhduar që në vitet e 90-ta dhe që ka prek themelet e shtetit ligjor dhe sigurinë juridike të pronës.

Ajo që meriton vlerësim është fakti se SPAK-u ka arritur të hetojë dhe të godasë afera me vlera qindra milionëshe, duke përfshirë persona të lidhur me politikën, biznesin, median, futbollin dhe fusha të tjera të rëndësishme të jetës publike.

Bëhet fjalë për individë me ndikim të madh, ndaj të cilëve deri para pak vitesh qytetarët e zakonshëm vështirë se mund të imagjinonin se do të zhvilloheshin hetime serioze.

Fatkeqësisht, edhe Kosova ka pasur dhe vazhdon të ketë raste të ngjashme, madje në disa raste edhe më flagrante, të tjetërsimit të pronave publike dhe private.

Në shumë prej këtyre rasteve, sipas informacioneve që kanë qarkulluar ndër vite, skema ka qenë pothuajse identike: targetimi i pronave me vlerë, përdorimi i dokumenteve dhe aktgjykimeve të falsifikuara të viteve ’90, regjistrimi i përkohshëm i pronave në emër të personave të tretë (kryesisht serb), e më pas transferimi i tyre te përfituesit e vërtetë apo rrethi i ngusht i tyre që sot e asaj dite i shfrytëzojnë përfitimet e kundërligjshme nga ndërtimi apo shitjet.

Pas kësaj në këto prona kanë vazhduar shitjet, ndërtimet massive shumica pa leje, përfitimet të kundërligjshëm nga koeficientët ndërtimorë së bashku kompensimet për shpronësime dhe fitimet milionëshe, shpesh pa u adresuar kurrë seriozisht aspekti penal apo fiskal i këtyre transaksioneve.

Rezultati është se sot kemi individë me pasuri të jashtëzakonshme të përfituar në mënyrë të kundërligjshme, ndikim të madh ekonomik, politik e juridik dhe pothuajse të paprekshëm.

Prandaj, mësimi që duhet të nxjerrim nga Shqipëria nuk është vetëm hetimi i një rasti të caktuar, por ndërtimi i institucioneve që kanë vullnetin, profesionalizmin, pavarësinë, mbështetjen dhe kapacitetin për të hetuar këdo, pavarësisht emrit, pasurisë apo ndikimit.

Kosova ka nevojë urgjente për institucione të forta dhe të pavarura që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelet më të larta.

Me një fjalë: Kosova ka nevojë për një SPAK të themeluar dhe mbështetur nga SHBA-të sikur te rasti në Shqipëri.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Opinion 10
03 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.