
Analisti politik Ilir Deda ka deklaruar se nuk beson që përmes procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara mund të dënohet politika e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se një qasje e tillë do të prekte themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
Në emisionin “Politiko”, Deda tha se kërkesa e Prokurorisë për të pasur një protokoll të caktuar nuk është praktikë ndërkombëtare. Ai nënvizoi se ish-presidenti Hashim Thaçi kishte qenë drejtor politik i UÇK-së dhe jo komandant suprem i saj.
“Nuk besoj që mund të dënohet politika e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse nën politikë nënkuptohet përpjekja për çlirimin e Kosovës nga dhuna dhe represioni, atëherë kemi një problem shumë të madh, sepse kemi të bëjmë me bazën dhe themelet e shtetit tonë”, deklaroi Deda.
Ai bëri thirrje që Kosova të kundërshtojë çdo përpjekje për revizionizëm historik, duke theksuar se drejtësia nuk duhet të shërbejë për ndryshimin e historisë.
Sipas Dedës, nuk duhet harruar se Gjykata Speciale u themelua pas dyshimeve për trafikim organesh, akuza të cilat ai i cilësoi si shumë të rënda, duke kujtuar se kishte qenë pjesë e grupit të personave që kishin reaguar publikisht kundër këtyre pretendimeve.