
Shtetet e Bashkuara kanë marrë një lajm të madh para përballjes me Belgjikën në fazën e 1/8-tës së Kupës së Botës 2026, pasi Folarin Balogun është lejuar të luajë pavarësisht kartonit të kuq që mori në ndeshjen e fundit.
Sipas “The Athletic”, FIFA ka pezulluar dënimin prej një ndeshjeje për sulmuesin e Monacos, duke e bërë atë të disponueshëm për sfidën e së hënës.
Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt në ndeshjen ndaj Bosnje dhe Hercegovinës pas një ndërhyrjeje ndaj Tarik Muharemoviqit dhe, sipas rregulloreve të FIFA-s, pritej të mungonte automatikisht në ndeshjen e radhës.
Megjithatë, FIFA ka vendosur ta pezullojë zbatimin e dënimit në bazë të Nenit 27 të Kodit Disiplinor.
Vendimi është me kusht, që do të thotë se pezullimi mund të rikthehet në fuqi nëse Balogun kryen një shkelje të ngjashme gjatë periudhës së provës.
Ky vendim vjen pasi disa zyrtarë të FIFA-s kishin bërë të ditur më herët se as kartoni i kuq dhe as dënimi pasues nuk mund të apeloheshin.
Balogun ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm të SHBA-së në këtë Kupë të Botës. Ai realizoi dy gola në fitoren ndaj Paraguait në ndeshjen hapëse dhe shtoi edhe një tjetër kundër Bosnje dhe Hercegovinës.
Sulmuesi ka kontribuar me të paktën një gol ose asistim në çdo ndeshje të Botërorit ku ka luajtur deri më tani.
Përjashtimi i tij nga loja kishte shkaktuar debat të madh, me trajnerin Mauricio Pochettino që këmbënguli se ndërhyrja ishte aksidentale.
“Nuk ishte kurrë për karton të kuq”, deklaroi tekniku argjentinas.
Edhe kapiteni Christian Pulisic kritikoi vendimin e arbitrave.
“Ishte një vendim shumë i ashpër”, u shpreh ai.
Prania e Balogun i jep një shtysë të madhe repartit ofensiv të SHBA-së për duelin ndaj Belgjikës, ku amerikanët synojnë kualifikimin në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026.
🚨 FIFA confirm Folarin Balogun’s suspension is suspended for one year and he is eligible to play under Article 27.
🗣️ “In line with article 27 of the FIFA Disciplinary Code, the implementation of the match suspension is suspended for a probationary period of one year.
— Ben Jacobs (@JacobsBen) July 5, 2026