
Analisti politik Ilir Deda ka kritikuar partitë politike në Kosovë, duke thënë se ato nuk po prodhojnë më politika të mirëfillta dhe se debati politik është larguar nga problemet reale të qytetarëve.
Deda, në emisionin “Politiko”, ka thënë se raportet e fundit të auditimeve kanë zbuluar keqpërdorime të mëdha të parasë publike në nivel qendror dhe lokal.
“Na sot nuk kemi më parti politike të cilat prodhojnë politikë. Kur e lexon raportin e auditimeve të javës së kaluar, të vjen me qajt kur e sheh sa keqpërdorim të parave publike ka në nivel qendror edhe në komuna”, ka deklaruar Deda.
Sipas tij, opozita duhet të ndërtojë një qasje më të fortë opozitare duke u bazuar në gjetjet e raporteve të auditimit, ndërsa kritikoi edhe mungesën e përballjes politike ndaj keqpërdorimeve.
“Pse opozita nuk fillon të bëjë opozitarizëm në bazë të gjetjeve? Sepse po pret bashkëbisedim për bashkëqeverisje”, ka thënë ai.
Deda ka kritikuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke pyetur pse nuk i adreson rastet e keqpërdorimeve në komunat ku udhëheqin partitë opozitare, duke e lidhur këtë me interesat politike për marrëveshje të mundshme.
“VV-ja pse nuk i sulmon komunat opozitare ku ka keqpërdorim të parave, sepse don me lënë mundësi për të biseduar për zgjedhjen e presidentit apo për çështje të tjera”, është shprehur Deda.
Ai ka theksuar se, sipas tij, keqpërdorimi i parasë publike është i dokumentuar në shumë raste dhe se partitë politike duhet të japin përgjegjësi për mënyrën se si qeveriset vendi.
“Ne e dimë që me qindra miliona euro në të dy nivelet janë keqpërdorur. Për çfarë politike jemi duke folur, kur është e dokumentuar që si këta, si ata, po keqpërdorin paranë publike?”, ka përfunduar Ilir Deda.