Kontaktoni

info@gazeta10.com

Politiko

“Deda e thotë troç: Për Kosovën është KATASTROFË me shku në zgjedhje”

Gazeta10
07 July 2026 - 21:47

Analisti politik Ilir Deda ka deklaruar se një proces i ri zgjedhor do të ishte i dëmshëm për Kosovën, duke theksuar se vendi ka humbur shumë mundësi ndër vite për shkak të, siç e quajti ai, gabimeve politike.

Duke folur në emisionin “Politiko”, Deda tha se Kosova ka pasur mundësi të shumta që nuk janë shfrytëzuar dhe se mungesa e përgjegjësisë politike ka ndikuar në zhvillimin e vendit.

“Unë e kam parë Kosovën gjithmonë, mundësitë të cilat i ka pasur dhe të cilat i ka humbur për shkak të budallallëkut të vet, në të kaluarën dhe në të tashmen. Që nga viti 2008, pa u ulur me shkruar një libër, mundësitë që i kemi pasur e i kemi humbur”, ka thënë Deda.

Ai ka kritikuar mungesën e vullnetit për të forcuar shtetin dhe institucionet, duke thënë se Kosova duhet të punojë më shumë në aspektin ekonomik dhe politik.

“Nuk do të thotë se jemi Kosovë dhe nuk kemi përgjegjësi. Duhet të bëjmë gjithçka për ta forcuar këtë vend, për të mos u zbrazur ekonomikisht, politikisht e në çdo aspekt tjetër”, është shprehur ai.

Deda ka thënë se fakti që institucionet nuk po arrijnë të zgjedhin presidentin tregon gjendjen aktuale politike në vend.

“Ne nuk jemi në gjendje të prodhojmë institucione, të zgjedhim president. Kjo është Kosova e sotme. Nuk duan ta zgjedhin një president dhe kjo është e vërteta”, ka deklaruar Deda.

Sipas tij, qytetarët duhet të kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë faktorët politikë për situatën e krijuar.

Në fund, Deda ka përsëritur se një shkuarje e re në zgjedhje do të ishte një goditje për vendin.

“Unë mendoj që për Kosovën është katastrofë me shku apet në zgjedhje”, ka përfunduar Ilir Deda.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.