
Pacientët janë ankuar në lidhje me kushtet jo të mira në Klinikën e Neonatologjisë, derisa ngritur kritika se foshnjet po lihen në temperatura të ulëta, e për shkak të papastërtisë, po infektohen me viruse. Kritikat e pacientëve i ka kundërshtuar drejtoresha e kësaj klinike, e cila ka thënë se kushtet në të janë shumë të mira. Megjithëse, ajo është shprehur se kanë mungesë të stafit.
Raporti:Arbenita Ilazi, Kamera: Arlind Morina.
Këtu përjetuan ndër momentet më të lumtura të jetës së tyre.
Derisa mbanin në krahë foshnjet e tyre, mezi ndalnin lotët e gëzimit.
Por për kundër kësaj, sa më shumë kohë që kalonin brenda Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, aq më shumë rritej dështira për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
E kjo për shkak të kushteve jo të mira në të.
Përparim Klinaku ka akuzuar ditë më parë stafin e klinikës se për rreth dy orë vajza e tij pesë ditëshe qëndroi në inkubator në temperatura të ulëta.
Ndërsa, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Marigona Geci ka thënë se si pasojë e papastërtisë, djali i saj është infektuar me virus.
Edhe pse është shprehur e kënaqur me shërbimet e ofruara nga punëtorët shëndetësorë, një nga pacientet është ankuar për kushtet në të cilat punohet në këtë klinikë.
Përkundër ankesave, drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Hajrie Ismajli ka thënë se kushtet në këtë klinikë janë shumë të mira.
Ajo është shprehur se shqetësuese është vetëm mungesa e stafit shëndetësorë.
Ne lidhje me ankesat e pacientëve, Kanal10 ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga zyra për informim në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, por që të njëjtit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të dërguara.
Ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se menaxhmenti i kësaj klinike duhet të merret me ankesat e qytetarëve, dhe se si ministri ofrojnë përkrahje për përmirësimin e infrastrukturës./Gazeta10