
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar lidhur me gërmimet për varrezë masive në Kalludër të Zubin Potokut.
Ajo u shpreh se Serbia ende fle mbi varreza masive dhe përsërit krimet, siç deklaroi, duke fshehur në mënyrë sistematike vendndodhjen e rreth 1 mijë e 600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë
“Serbia ende fle mbi varreza masive! Serbia ende përsërit krimet, duke fshehur në mënyrë sistematike vendndodhjen e rreth 1,600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërkaq, mijëra familje në Kosovë ende jetojnë me dhimbjen e papërshkrueshme të plagëve që nuk janë mbyllur kurrë”.
“23 intelektualë nga Mitrovica u rrëmbyen dhunshëm nga forcat serbe në prill të vitit 1999, duke i lënë familjet e tyre, Mitrovicën dhe gjithë Kosovën në ankth të përditshëm për 27 vjet. Kontributi i tyre në arsim, shëndetësi e në veprimtari atdhetare do të mbesë gjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Mitrovicës”, shkroi ajo.
Osmani tha se zbulimi i varrezës masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se gjenden eshtrat e tyre, ndonëse është një lehtësim për familjet, sipas saj, është njëkohësisht një rikujtim i dhimbshëm se ndajmë një kufi prej afro qindra kilometrash me një fqinj që ende nuk ka hequr dorë nga synimet e tij për të na zhdukur.
“Përballë një rreziku të tillë, përballë dhimbjes së vazhdueshme të familjeve të Kosovës që ende kërkojnë vendndodhjen e më të dashurve të tyre dhe përballë një armiku që ende fle mbi varrezat masive të fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës, asnjë dallim mes nesh nuk duhet të ketë rëndësi. Asnjë”, shkroi Osmani