Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Djegie dhe tentim sulmi në shtëpinë e familjes Berisha, e rikthyer pas 28 vitesh në Zveçan

Gazeta10
03 August 2026 - 10:31

Pas plot 28 vitesh largimi të detyruar, familja Berisha u rikthye me shpresë në shtëpinë e tyre në Zveçan.

Pas dekadash mungese, ata kishin nisur restaurimin e shtëpisë, duke u përpjekur t’i rikthenin jetën dhe kujtimet vendit që e kishin lënë pas që nga koha e luftës.

Mirëpo  të dielën mbrëma, shtëpia e familjes Berisha u përfshi nga një incident i rëndë, ku pati djegie dhe dyshohet për një tentim sulmi ndaj pronës.

Sipas Zana Berishës, objekti u bë cak i një sulmi të dyshuar me zjarr.

“Mbrëmjen e kaluar kanë tentuar me na djeg komplet shtëpinë. Fatmirësisht, një pjesë e madhe e shtëpisë ka shpëtuar. Krejt kjo si pasojë se ne nuk jemi 24 orë këtu. Kjo nuk do të thotë kurrgjë për ne si familje. Përkundrazi, vetëm sa e forcon bindjen tonë se jemi në rrugën e drejtë. Jemi të lirë, kemi përkrahjen e institucioneve të shtetit tonë dhe do të vazhdojmë.”, ka thënë ajo.

Berisha ka thënë se pavarësisht këtij rasti, nuk do të tërhiqen nga punimet në shtëpi, për ta bërë atë sërish të jetueshme.

“Do të kthehemi edhe më të fuqishëm se më parë. Shtëpia jonë do të renovohet. Është një ndjenjë shumë e keqe dhe një emocion negativ që sot në mëngjes u zgjuam me një lajm të tillë, por kjo nuk ka për të na ndalur”, ka deklaruar Berisha.

Siç raportohet, lidhur me rastin janë njoftuar autoritetet kompetente, të cilat kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.