
Pretendimet dhe ambalazhimet e reja politike nga Beogradi janë vetëm dëshmia e radhës se politika sërbe vazhdon të ketë një konflikt të hapur me vetë realitetin — me diellin, hënën, erërat dhe stuhitë e këtij rajoni.
E mbërthyer në ankthin e një shteti që provon të imponohet vetëm përmes demonstrimit të forcës, kjo politikë shpërfaq atë që antropologu Bronisław Malinowski e cilësonte si rënie në instinktet primare: “kur diplomacia dhe norma civilizuese dështojnë, vendin e arsyes e zë impulsiviteti i egër i dominimit”.
Ky fiksim pas kontrollit ushqehet nga një vetizolim i thellë gjeopolitik. Teoricienë të mëdhenj si Alfred Thayer Mahan apo Halford Mackinder kanë argumentuar se: ” popujt me dalje në det zhvillojnë një kulturë të hapur, tregtare dhe dinamike — sepse rrahja e erës e deti i mësojnë ata me idenë e horizontit të pafund, lëvizjes së lirë e nevojës për t’u përshtatur me natyrën, e jo për ta kontrolluar atë me dhunë”.
Shtetet detare (talasokracitë) kërkojnë partneritet sepse e kuptojnë lirinë e shkëmbimit. Sërbia se ka këtë instikt sepse ska det.
Në të kundërtën, e mbërthyer si një shtet pa dalje në det (landlocked) dhe e shoqëruar me politika nacionaliste, Sërbia vuan nga ajo që në psikologjinë politike quhet: “mendësia e fortesës së rrethuar”. E pafuqishme të kuptojë frymëmarrjen e detit, vëmendja e saj zhvendoset nga zhvillimi i hapur drejt kontrollit territorial, paranoja se është e rrethuar nga armiq dhe refuzimi i kompromisit.
Popujt si sërbët që nuk bashkëpunojnë dhe izolohen nuk kanë perspektivë; në shekullin XXI, mbyllja gjeografike mund të kapërcehet vetëm përmes fqinjësisë së mirë, ndërsa refuzimi i kësaj rruge e lë një shtet të bllokuar jo vetëm në gjeografi, por edhe në histori.
Mirëpo, përballë kësaj mendësie qëndron një e vërtetë e pashkatërrueshme. Siç shkruante me të drejtë At Gjergj Fishta:
“Jo, por i yti asht ky dhe, prapë i yti ka me mbetë!”
Fatmirësisht, madhështia e Malit Sharr dhe Malit të Rugovës qëndrojnë të patundur. Ato nuk u binden iluzioneve ekspansioniste sërbe që kërkojnë të zhbëjnë atë që natyra dhe historia e kanë vulosur me kohë.
A thua, sipas kësaj mendësie që njohjen e botës e ka të bllokuar në tokë, nesër do të kërkojnë t’i ndryshojnë rrjedhën edhe Detit Jon e Detit Adriatik — hapësirave të lirisë që kurrë nuk i patën dhe as nuk arritën t’i kuptojnë?
Natyra, historia dhe vullneti i popujve të lirë nuk tjetërsohen dot.
Në fund, vetë rrjedha e pashmangshme e lumenjve dhe e vërteta e deteve do ta mundin instinktin e egër të çdo politike që refuzon realitetin.”