
Politologu Melazim Koci ka komentuar gjendjen aktuale politike në Kosovë, duke e cilësuar atë si kombinim të lojërave politike të partive dhe vakumeve juridike.
Duke folur në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Koci tha se fillimisht ka pasur, sipas tij, lojëra politike nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa më pas situata është shoqëruar edhe me vakume juridike.
“Është kombinim i lojërave politike të partive, fillimisht të VV-së, e pastaj edhe vakumeve juridike”, tha Koci.
Ai iu referua nenit 66 të Kushtetutës, i cili, sipas tij, përcakton qartë se seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditësh nga certifikimi.
Koci tha se ky interpretim mund të ketë lënë hapësirë edhe për keqinterpretim, por theksoi se çështja është trajtuar nga Gjykata Kushtetuese pas një kërkese të AAK-së në vitin 2025.
“AAK ka kërkuar, e ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese në 2025 dhe ka marrë përgjigje dhe aktgjykimi ka qenë shumë i qartë dhe nuk lë asnjë dyshim”, deklaroi ai.
Sipas Kocit, partia e parë mund ta nisë procesin e konstituimit edhe në ditën e 29-të, por ka obligim që ta përmbyllë atë në ditën e 30-të.
“Pra, partia e parë mund ta fillojë konstituimin edhe ditën e 29-të, por e ka obligim ta përmbyllë në ditën e 30-të. Këtë obligim kushtetues Vetëvendosja nuk e ka përmbushur dhe ka bërë shkelje të një detyrimi kushtetues”, tha Koci.