
Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion policor kundër narkotikëve, gjatë të cilit janë sekuestruar rreth 3 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dy automjete dhe dy telefona celularë.
Sipas Policisë, operacioni është zhvilluar nga Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve (SQHN), i cili kishte lokalizuar dhe vënë nën vëzhgim dy automjete me targa vendore, të dyshuara se po transportonin substanca narkotike nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës.
Gjatë tentativës për ndalimin e automjeteve, të dyshuarit nuk u janë bindur urdhrave të zyrtarëve policorë dhe kanë goditur zyrtarët policorë në uniformë.
Policia njofton se, me qëllim të neutralizimit të rrezikut, zyrtarët policorë kanë përdorur armën e zjarrit si pajisje zyrtare.
Automjetet më pas janë ndaluar nga njësitë policore, ndërsa gjatë kontrollit në njërën prej tyre është gjetur dhe sekuestruar rreth 3 kilogramë marihuanë.
Në vazhdim të operacionit janë realizuar gjithsej tri bastisje në lokacione të ndryshme, ku si prova relevante janë sekuestruar edhe:
0.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, dy automjete dhe dy telefona celularë.
Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar që personat e dyshuar, pas arrestimit dhe procedurave të tjera ligjore, të dërgohen në mbajtje për 48 orë.