
Nenad Rashkoviq, serb nga veriu i Kosovës, ka pretenduar se zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë ushtruar dhunë ndaj tij gjatë kontrollit të pronës së tij. Megjithatë, burime të Kanal10 brenda organeve të sigurisë kanë bërë të ditur se bastisja lidhet me dyshime të tjera, të cilat aktualisht janë nën hetim nga autoritetet.
Sipas këtyre burimeve, ekzistojnë dyshime se Rashkoviq mund të ketë fshehur një armë që dyshohet se është përdorur në vrasjen e shqiptarëve në Kalludër dhe Jabukë gjatë luftës së vitit 1999.
Bëhet fjalë për një kallashnikov, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse kjo armë mund të ketë lidhje me krimet e luftës që po hetohen në këtë zonë.
Shtëpia e tij ndodhet pranë dy lokacioneve ku, ditëve të fundit, janë zbuluar mbetje mortore, që dyshohet se lidhen me krimet e luftës në Kalludër të Vogël dhe Jabukë.
Zhvillimet e fundit në këtë zonë lidhen me hetimet për një nga rastet më të rënda të krimeve të luftës në veri të Kosovës.
Pas arrestimit të Momir Jakshiqit dhe Miljko Bivasit, hetuesit kanë arritur të identifikojnë një zonë në Kalludër të Vogël, ku dyshohet se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së vitit 1999.
Sipas dyshimeve të para, dy të arrestuarit kanë pasur role të ndryshme, njëri si pjesëtar dhe tjetri në rolin e komandantit.
Pas arrestimeve, ekipet për hetimin e krimeve të luftës, në bashkëpunim me ekspertët forenzikë, kanë nisur kërkimet në zonën e dyshuar për një varrezë masive.
Në këtë lokacion dyshohet se mund të jenë varrosur 23 anëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve” nga Mitrovica, të cilët rezultojnë të zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999, kur po udhëtonin në drejtim të Malit të Zi.
Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar në disa lokacione në veri të Kosovës, ndërsa autoritetet po vazhdojnë kërkimet për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.
Më poshtë mund të shihni lokacionet e përfshira në hetime./Gazeta10
