
Javën e ardhshme do të hidhet hapi i parë drejt një zgjidhje mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen solli dakordësinë që Shkupi të kërkojë një takim.
“Nga Presidentja mora këshillë që javën e ardhshme, ministri ynë i Jashtëm do të jetë në Sofje për Korridorin 8 dhe projektet në kuadër të Korridorit 8, të kërkojmë nga Sofja takim bilateral. Unë menjëherë kërkova nga ministri të dërgojë notë diplomatike dhe të kërkojë takim me kolegen e tij dhe të fillojë procesi prej diku”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër
Kryeministri i kërkoi Fon Der Lajen, gjatë vizitës së saj në Shkup, që BE-ja të jetë aktivisht e përfshirë në ndërmjetësimin dhe sigurinë e procesit.
“Unë theksova që presim që edhe BE-ja të përfshihet në këtë proces. Nuk kërkojmë nga unioni që të marrë anë. Kërkojmë që të ndihmojë në krijimin e kushteve për zgjidhje evropiane që të qëndrueshme në të cilën ajo që do të dakordohemi do të jetë e qartë, detyrimet do të vlejnë për të gjithë kurse procesi i anëtarësimit nuk do të jetë sërish i hapur për kushtëzime të reja bilaterale. Çdo zgjidhje duhet të ofrojë siguri se me plotësimin e saj mbyllet një fazë dhe hapet rruga për fazën tjetër pa hapësirë për interpretime të reja ose kërkesa plotësuese”, deklaroi kryeministri.
Fon Der Lajen u shpreh e kënaqur me realizimin e Agjendës së reformave megjithatë kujtoi se kyçe janë ndryshimet kushtetuese.
“Maqedonia e Veriut ka bërë që Plani i rritjes të jetë shumë i suksesshëm dhe kjo është gjithashtu falë meritës dhe angazhimit tuaj personal. Ju tashmë keni marrë 140 milion euro dhe pagesa të tjera do të bëhen javët e ardhshme. Progresi është mbresëlënës. Mbetet edhe një hap kyç që duhet ta ndërmerrni që të vazhdoni përpara dhe të hapni kapitujt e negociatave. E di se është çështje e ndjeshme. Por, gjithashtu dua të jem shumë e qartë se çfarë është BE-ja. Ne mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj. Ne besojmë se gjuha dhe kultura maqedonase vetëm mund ta bëjë unionin më të pasur”, tha Ursula Fon Der Lajen, Presidente e KE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian njoftoi prezantimin e strategjisë së re të BE-së javën e ardhshme me të cilën tha se BE-ja do të vlerësojë institucionet e saja , politikat dhe buxhetin për të parë çfarë duhet të ndryshojë para pritjes së anëtarëve të reja. Me këtë ajo tha se do të prezantohet edhe udhërrëfyesi për vendet që janë më thellë në procesin e negociatave, Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë.
“Kemi të ashtuquajturën udhërrëfyes për ato vende që janë thellë në procesin negociuese dhe hapjen e mbylljen e kapitujve. Në momentin që do ta kemi zhbllokuar situatën këtu, mendimi im personal është që ne mund të jemi shumë të shpejtë me Maqedoninë sepse ne po punojmë veçmë për reformat e nevojshme. Ka akoma punë për të bërë, por është mbresëlënëse ajo që keni bërë deri më tani”, shtoi Fon Der Lajen.
Gjatë vizitës së saj Fon Der Lajen pati takim edhe me Presidenten Gordana Siljanovska Davkova dhe vëzhgoi punët ndërtimore për Korridorin 8. Ajo vizitoi Maqedoninë në kuadër të turneut vjetor të gjashtin me radhë, në vendet kandidate të BE-së. Turneu përfshiu Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi./Alsat.mk.