
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur veprime hetimore lidhur me një deklaratë përmes së cilës dyshohet se është kërcënuar deputeti Ramush Haradinaj.
Prokuroria ka bërë të ditur se pas pranimit të informatave për rastin, prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime urgjente.
“Prokurori Kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme (NJHP), për identifikimin e personit të dyshuar dhe ndërmarrjen e veprimeve urgjente lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, aktualisht po zhvillohen veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave.
“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, bëhet e ditur në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se bashkëpunimi me Policinë do të vazhdojë për identifikimin e personit përgjegjës dhe zbardhjen e rastit.
Sot, një mërgimtarë në ambientet e Kuvendit të Kosovës bëri thirrje skandaloze. Ai kërkoi pushkatimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas deklaratës së sotme kundër Ramush Haradinajt në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë dhe manifestim të një narrative të ndërtuar ndër vite.
Gjini ka thënë se thirrjet vëllavrasëse në Kuvend nuk janë të rastësishme, por rezultat i një platforme mbi një dekadë propaganduese.