Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dogana zbulon flokë natyralë të deklaruar si sintetikë, shmangen mbi katër mijë euro detyrime

Gazeta10
13 August 2026 - 9:08

Dogana e Kosovës ka konstatuar deklarim të pasaktë të një ngarkese me flokë, pas analizave laboratorike të kryera ndaj mallit që ishte deklaruar si flokë sintetikë.

Rasti është zbuluar më 6 gusht 2026 në Ferizaj, gjatë kontrollit të një mauneje me mall të deklaruar si flokë sintetikë. Sipas Doganës, maunja ishte përzgjedhur për kontroll dokumentar dhe fizik bazuar në kriteret e riskut.

Gjatë kontrollit fizik, zyrtarët doganorë kanë vërejtur mospërputhje mes mallit të deklaruar dhe karakteristikave të tij, duke ngritur dyshime se bëhej fjalë për flokë natyralë.

“Për të verifikuar përbërjen e mallit, janë kryer analiza laboratorike. Bazuar në rezultatet e analizave kimike të tretshmërisë, është konstatuar prezenca e fibrave natyrale”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Ndërkohë, analizat kualitative spektrale FT-IR kanë konfirmuar se mostrat e testuara janë identifikuar si material keratinoz/proteinik, përkatësisht flokë me fibra natyrale.

Si rezultat i këtyre konstatimeve, ndaj subjektit është evidentuar kundërvajtje doganore për deklarim të pasaktë të mallit.

Sipas Doganës së Kosovës, përmes deklarimit të pasaktë ishte shmangur pagesa e detyrimeve doganore në vlerë prej rreth 4 mijë e 310 euro.

“Dogana e Kosovës vazhdon të zbatojë kontrolle të bazuara në kriteret e riskut dhe verifikime dokumentare, fizike dhe laboratorike, me qëllim sigurimin e deklarimit të saktë të mallrave dhe mbrojtjen e të hyrave të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.