Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

A do të qëndrojë Vjosa Osmani në politikë për t’u bërë presidente? Flet ish-presidentja

Gazeta10
14 August 2026 - 23:38

Ish-presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në emisionin “Adresa” ka treguar se pas zgjedhjeve të 6 qershorit kishte njoftuar LDK-në se nuk dëshironte që emri i saj të propozohej për një mandat të dytë si presidente.

Osmani ka sqaruar se deklaratat e saj të mëhershme për një mandat të dytë ishin bërë në një situatë tjetër politike, kur, sipas saj, ishte krijuar një mundësi e re në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kur e kam përmendur mandatin e dytë kanë qenë rrethana të tjera, kemi pasur një dritare të re që u hap me SHBA-të dhe kam menduar që do të ishte një dëm shumë i madh për Republikën nëse nuk e shfrytëzon atë mundësi”, ka thënë Osmani.

Ajo ka deklaruar se kjo mundësi nuk ishte shfrytëzuar dhe se pas përfundimit të zgjedhjeve e kishte bërë të qartë qëndrimin e saj para strukturave të LDK-së.

“Prandaj, pasi kanë përfunduar zgjedhjet e 6 qershorit, e kam njoftuar edhe partinë dhe të parinë e LDK-së se nuk do të doja që emri im as të propozohej e as të insistohej për presidente”, ka deklaruar ish-presidentja Osmani./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.