Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

SHKK-ja forcon rregullat në burgje -Kritere më të qarta për sjelljen, sigurinë dhe pushimet e të dënuarve

Gazeta10
21 August 2026 - 13:17

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka nënshkruar sot Kodin e Mirësjelljes së personave të burgosur në institucionet korrektuese, si dhe Udhëzuesin për zbatimin e kritereve dhe sqarimin e faktorëve për shfrytëzimin e pushimit jashtë institucionit korrektues për personat e dënuar.

Të dyja aktet kanë për qëllim forcimin e standardeve të sigurisë, rendit dhe disiplinës në institucionet korrektuese, duke krijuar një qasje më të qartë dhe të standardizuar në menaxhimin e personave të burgosur, si dhe në proceset që lidhen me rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre.

Kodi i Mirësjelljes përcakton rregullat dhe standardet e sjelljes që duhet të respektohen nga personat e dënuar dhe të paraburgosur gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tyre në institucionet korrektuese.

Në këtë kod i është kushtuar rëndësi e veçantë respektimit të rendit dhe disiplinës, komunikimit korrekt me stafin dhe personat e tjerë të burgosur, shmangies së dhunës, kërcënimeve dhe konflikteve, respektimit të dinjitetit dhe të drejtave të të tjerëve, si dhe bashkëpunimit në proceset e sigurisë, rehabilitimit dhe riintegrimit.

Ndërkaq, Udhëzuesi për pushimet jashtë institucionit përcakton mënyrën e zbatimit dhe vlerësimit të kritereve për shfrytëzimin e këtij beneficioni.

Vlerësimi bëhet në mënyrë individuale, objektive dhe profesionale, duke u bazuar në të dhëna konkrete dhe të verifikueshme, si dhe në vlerësimin e rrezikut.

Në këtë proces merren parasysh vepra penale për të cilën personi është dënuar, qëndrimi ndaj veprës penale, sjellja gjatë vuajtjes së dënimit, respektimi i rregullave të institucionit, pjesëmarrja në programet rehabilituese, niveli i përgjegjësisë dhe besueshmërisë, rreziku për sigurinë publike, mundësia e përsëritjes së veprës penale, historiku i tentimeve për arratisje, si dhe rrethanat dhe mbështetja familjare.

Procesi i vlerësimit zhvillohet përmes një ekipi multidisiplinar, i cili, pas shqyrtimit të të gjitha kritereve, faktorëve dhe rrethanave relevante, interviston personin e dënuar dhe i rekomandon drejtorit të institucionit korrektues aprovimin ose refuzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar merret në bazë të vlerësimit të dokumentuar dhe legjislacionit në fuqi.

Me këto hapa, Shërbimi Korrektues i Kosovës synon të avancojë më tej standardet profesionale në institucionet korrektuese, duke e vendosur në fokus sigurinë dhe disiplinën, krahas rehabilitimit, përgjegjësisë personale dhe përgatitjes së personave të dënuar për riintegrim në shoqëri.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.