
Në Gjakovë është protestuar kundër dhunës së infermiereve ndaj të moshuarës në qendrën e të moshuarve në Pejë. E bija bashkë me protestuesit kanë kërkuar dënim maksimal ndaj tyre si dhe mbyllje të qendrës “Orenda”.
Raporti: Saranda Aliu, Kamera: Tonin Fejza.
Nuk mund t’i mbante lotët, teksa të tjerët e përqafonin vajzën e të moshuarës, e cila qëndronte në rreshtin e parë të protestës.
Sheshi i Gjakovës u mbush nga qytetarët për t’i dhënë mbështetje dhe për ta kundërshtuar dhunën që tri infermieret ushtruan ndaj të moshuarës, tre ditë më parë në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.
Zheneta Nura, i ka bërë thirrje institucioneve për drejtësi, pasi tha se nëna saj ka shkuar atje për një kujdes më të mirë, derisa ka kërkuar mbylljen e qendrës “Orenda”
Ndërkaq, nga Shoqata “Krimet e Luftës Gjakova 98-99”, të cilët edhe e organizuan protestën, kanë thënë se nuk kanë pritur që vajzat shqiptare të ushtrojnë dhunë fizike ndaj një të moshuare, e aq më pak që është nënë e dëshmorit.
Dhunën ndaj të moshuarës e kanë dënuar edhe nga Shoqata Bashkimi i Femrave Gjakovare.
Përveç pankartave e thirrjeve, protestuesit kishin vendosur në drunj edhe fotografinë e Aurona Pelaj, e cila dyshohet për sulm fizik ndaj 70 vjeçares, por një veprim i tillë ka nxitur kundërshtime dhe reagime të shumta, me ç’rast një veprim i tillë është cilësuar si i papranueshëm.
Tri infermiereve të rezidencës “Orenda” në Pejë, një ditë më parë u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Gazeta10