
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), të enjten mori vendim që t’ua pranojë dorëheqjet gjyqtarëve e stafit gjyqësor serbë të Kosovës.
Për këtë ka reaguar Bashkimi Evropian, i cili ka shprehur keqardhje të thellë për vendimin e djeshëm të KGjK-së, ndonëse dorëheqjet e tyre, sipas BE-së, ishin tërhequr më herët.
Zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni, tha se, sipas Kushtetutës së saj, Kosova është një shoqëri multietnike e qeverisur nga sundimi i ligjit dhe se sistemi i saj i drejtësisë duhet të pasqyrojë diversitetin etnik të Kosovës.
BE-ja thekson se vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në Dialog.
Po ashtu, BE-ja kishte mirëpritur tërheqjen, më 15 korrik 2026, të dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Kosovës.
“BE-ja shpreh keqardhje të thellë për vendimin e djeshëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për të pranuar dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të Kosovës, të cilat tashmë ishin tërhequr”, thuhet në deklaratë.
Sipas BE-së, ky vendim pason vendime të ngjashme të marra nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në korrik, lidhur me dorëheqjet e prokurorëve serbë të Kosovës.
“Këto vendime duket se janë të papajtueshme me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet tutje.
BE-ja vlerëson se këto vendime bien gjithashtu ndesh me parimet e një gjyqësori multietnik, duke dëmtuar besimin e komunitetit serb të Kosovës dhe duke minuar përpjekjet për një rikthim të qëndrueshëm në institucionet e Kosovës.
Në fund, BE-ja u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve përkatës që të krijojnë kushtet për një gjyqësor multietnik, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt ligjor dhe zotimet e marra në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.