
Kreu i Prishtinës, Përparim Rama ka akuzuar Qeverinë e vendit se ajo po e bllokon buxhetin e investimeve kapitale.
Ai derisa ka folur para protestuesve para Qeverisë ka theksuar se kjo Qeveri po bllokon edhe të hyrat vetanake.
Rama e ka nisur deklaratën duke bërë një krahasim me vitet e ’90-ta, kur, sipas tij, shqiptarët e Kosovës e zhvillonin mësimin nëpër shtëpi pas mbylljes së shkollave nga Serbia.
“Sot është 1 Shtatori. Në vitet e 90-ta kur Serbia na i mbylli shkollat, ne nisëm mësimin nëpër shtëpi. Kishim ditar, krijuam sistem, sepse edhe atëherë, nën okupim, e dinim se shteti ndërtohet duke i mbajtur institucionet gjallë.
Në Kosovë sot, nxënësit po e fillojnë vitin shkollor pa ditarë.
Sot, pas gjithë sakrificës për ta ndërtuar këtë shtet, problemi ynë nuk është se nuk kemi institucione. Problemi është se Albin Kurti po i përdor institucionet për me blloku edhe ndëshku qytetarët.
Shikojeni çka po ndodh me komunat.
Aty ku Vetëvendosja nuk fitoi, qeveria po e bllokon buxhetin e investimeve, po bllokohen të hyrat vetanake, po merren nga buxhetet komunale mjetet për kontrata për të cilat komunat as nuk i kanë bërë, nuk janë bërë pjesë e procesit vendimmarrës.
Edhe kush po e paguan këtë çmim? Nuk po e paguajmë ne kryetarët, po e paguani ju, qytetarë të nderuar. Pas gjithë sakrificës këtij populli, pas luftës, pas njerëzve që dhanë jetën, pas punës së brezave të tërë për me i krijuar institucionet tona, sot kemi ardhur në një pikë ku duhet me i mbrojtur komunat nga njerëzit që udhëheqin këtë institucion. Paramendoni ku kemi ardhur sot! Katastrofale kjo! Duhet me i mbrojtur komunat nga qeveria jonë. Çfarë marre! Çfarë paradoksi?”, ka thënë ai.
Për më shumë shikone videot e plota. /GAZET10