
Profesori i sigurisë, Avni Islami, ka bërë thirrje për rritje të vigjilencës ndaj veprimtarisë së spiunazhit, duke thënë se vetëdijesimi dhe bashkëpunimi me institucionet janë ndër mënyrat më të rëndësishme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.
Islami ka shkruar në Facebook se ndarja e informatave me institucionet shtetërore mund të ndihmojë në parandalimin dhe zbulimin e veprimtarive të dyshimta.
“Ndarja e informacionit me institucionet e shtetit dhe vetëdijesimi ynë sot është mbrojtja më e mirë e vendit nga spiunazhi”, ka shkruar Islami.
Sipas tij, spiunazhi nuk është fenomen i ri dhe nuk ka lindur me OZNA-n apo UDB-në serbe. Ai ka theksuar se populli i Kosovës është përballur veçanërisht me presione dhe shantazhe të shërbimeve sekrete gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit.
“Ky shërbim sekret serb la gjurmë të thella edhe pas përfundimit të luftës dhe pas ndërtimit të shtetit tonë modern”, ka deklaruar ai.
Duke iu referuar arrestimeve dhe dënimeve për spiunazh gjatë dy vjetëve të fundit, Islami ka thënë se këto raste tregojnë se institucionet e Kosovës po veprojnë kundër personave të dyshuar për aktivitete që cenojnë interesat kombëtare.
Në të njëjtën kohë, ai ka paralajmëruar se veprimtaria e spiunazhit paraqet rrezik serioz për sigurinë kombëtare, ndërsa individët mund të përfshihen në aktivitete të tilla edhe pa qenë fillimisht të vetëdijshëm për rolin e tyre.
“Shtetet jo mike janë të interesuara të gjejnë bashkëpunëtorë në çdo fushë: në ekonomi, shëndetësi, kulturë, art, në gazetari etj. Një informator ose agjent mund të bëhet pjesë e lojës pa qenë fare i vetëdijshëm se po punon kundër vendit të tij”, ka shkruar Islami.