Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Detaje/ Deputetët e LDK-së ndajnë qëndrimet për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president

Gazeta10
01 September 2026 - 17:14

Kandidatura e Bekim Sejdiut për president të Kosovës ka marrë mbështetje nga disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa të tjerë kanë bërë të ditur se qëndrimin e tyre do ta përcaktojnë pas diskutimeve në Grupin Parlamentar.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka deklaruar se kandidatura e Sejdiut ka marrë mbështetje unanime në Kryesinë e partisë.

“S’ka asnjë qëndrim kundër, përkundër ka vetëm lavdërata për integritetin personal e profesional të Bekim Sejdiut”, deklaroi Rukiqi pas mbledhjes së Kryesisë.

Mbështetje për kandidaturën e Sejdiut ka shprehur edhe deputeti Anton Quni.

“Mbështes kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës”, deklaroi Quni, duke e vlerësuar atë si një figurë me bagazh të fuqishëm familjar dhe individual.

Edhe deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka deklaruar se në parim do ta mbështesë Sejdiun, nëse për kandidaturën e tij arrihet konsensus brenda Grupit Parlamentar.

“Vota ime në parim do të jetë për, nëse dakordohet grupi parlamentar, pasi nuk kam ndonjë arsye të kundërshtoj. Kjo do të jetë vota ime nëse do të gjejmë konsensus si grup parlamentar”, ka deklaruar Kica-Xhelili.

Në anën tjetër, deputeti Arben Gashi ka qenë më i rezervuar. I pyetur nga gazetarët nëse e mbështet kandidaturën e Sejdiut për president, ai është përgjigjur shkurt:

“E diskutojmë brenda”, është shprehur Gashi.

Ndërkohë, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur kandidaturën e Bekim Sejdiut, duke e vlerësuar atë si profesionist të dëshmuar dhe figurë me integritet.

“Kandidatura e zotëri Sejdiut i bën nder gjithë Republikës së Kosovës. Jo vetëm që i plotëson të gjitha kriteret për të cilat ne patëm rënë dakord unanimisht në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, jo vetëm që e respekton vendimin e fundit të Këshillit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që ka kërkuar nga kryetari i LDK-së që të bëjë çmos që Kosovës t’i japë institucione”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka thënë se kandidatura e Sejdiut i jep Kosovës mundësi për të vazhduar punë të rëndësishme në mbrojtjen e demokracisë, Kushtetutës dhe fuqizimin e aleancave.

Pas mbledhjes së Kryesisë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të mbledhë edhe Grupin Parlamentar të kësaj partie, ku pritet të diskutohet qëndrimi i deputetëve për kandidaturën e Sejdiut.

Kandidatura e Bekim Sejdiut vjen si pjesë e ujdisë politike ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa vëmendja tash është te sigurimi i votave të nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.