
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka paralajmëruar se Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk do të ndalet së kërkuari realizimin e kërkesave të komunave drejtuar Qeverisë së Kosovës.
Muharremaj, i ftuar në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, ka thënë se sot Bordi i Asociacionit të Komunave ka adresuar kërkesat e komunave, të cilat i ka cilësuar si legjitime.
“Sot Bordi i Asociacionit të Komunave i ka bërë kërkesat legjitime në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Do t’i kqyrim për një javë çka do të dalë prej atyre kërkesave tona”, ka deklaruar Muharremaj.
Ai ka paralajmëruar se pas kësaj periudhe do të vlerësohet situata dhe se Bordi i Asociacionit pritet të vazhdojë me veprimet e tij.
“Unë besoj që Bordi i Asociacionit vazhdon. Do t’i kemi edhe kërkesa të reja dhe ne nuk do të ndalemi”, është shprehur ai.
Muharremaj ka theksuar se qëndrimi i kryetarëve të komunave lidhet me përgjegjësitë që ata kanë ndaj qytetarëve dhe komunave që drejtojnë.
“Për arsye se kemi obligime shumë të mëdha në komunat ku udhëheqim kryetarët e komunave”, ka thënë Muharremaj.
Ai ka bërë të qartë se kryetarët e komunave do të vazhdojnë të insistojnë në adresimin e kërkesave të tyre nga institucionet qendrore./Gazeta10