
Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim për parkimin e veturave në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Presidencës pas ankesave të disa deputetëve se iu ndalua parkimi aty.
Policia thotë se zyrtarë kompetentë nga Drejtoria e Shërbimeve Teknike të Kuvendit të Kosovës, përmes shkresës zyrtare kanë njoftuar dhe kanë kërkuar nga Policia e Kosovës, që sot, përveç veturave zyrtare të Kuvendit dhe Zyrës së Presidentes së Kosovës, të mos lejohen hyrje-daljet në vend parkingjet e ndërtesës të asnjë automjeti.
“Arsyeja e kësaj ndalese për datën 08.09.2026, sipas kërkesës zyrtare ishte pastrimi i oborrit dhe vend parkingjeve me mekanizëm adekuat, në të gjitha hyrjet – daljet dhe parkingjet e objekteve, përderisa ditëve në vijim shkresa parasheh kthimin e procedurave të rregullta të hyrje-daljeve dhe parkimit për personat e autorizuar”, tha policia.
Policia e Kosovës tha se është “institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, përfshirë edhe në rastin e zbatimit të kërkesave zyrtare të institucioneve të RKS-së”.