
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kanë dënuar, të martën, glorifikimin publik të Ratko Mladiqit gjatë varrimit të tij në Beograd, një ditë më herët.
E para tha se nderimi publik i një krimineli të dënuar të luftës është fyerje ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
“Glorifikimi publik i një krimineli të dënuar të luftës në Beograd është fyerje ndaj kujtimit të viktimave, familjeve të tyre dhe të gjithë atyre që vuajtën gjatë konflikteve në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Kallas në X, raporton KosovaPress.
Ajo theksoi se pajtimi i vërtetë nuk mund të ndërtohet mbi revizionizmin, mohimin e gjenocidit dhe nderimin e autorëve të krimeve.
Sipas saj, rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian kërkon përkushtim të qartë ndaj vlerave evropiane dhe së vërtetës historike.
“Në Evropë nuk ka vend për glorifikimin e kriminelëve të luftës”, shtoi Kallas.
Edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, reagoi ndaj nderimit të Mladiqit gjatë varrimit.
Ajo kujtoi se Parlamenti Evropian nderon çdo vit viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, ku mijëra njerëz u vranë, u zhdukën me dhunë ose u dëbuan.
“Glorifikimi publik i kriminelëve të dënuar të luftës, si Ratko Mladiqi gjatë varrimit të tij, e minon pajtimin. Është fyerje ndaj viktimave dhe më të dashurve të tyre”, shkroi Metsola.
Ajo shprehu solidaritet me familjet e viktimave, duke shtuar se ato nuk do të harrohen.
Mladiqi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Bosnjë e Hercegovinë.