
Analisti politik Krenar Shala, në emisionin “Adresa” në Kanal 10, ka komentuar situatën politike në vend dhe çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit.
Shala ka thënë se fakti që Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti kanë refuzuar deri më tani mbledhjen e Kuvendit lidhet, sipas tij, me mënyrën se si mund të zgjidhet çështja e presidentit.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar një afat, por nuk ka paraparë sanksion për mosrespektimin e tij, pasi një masë e tillë nuk lejohet nga Kushtetuta.
“Me të drejtë po thonë që, përkundër që Gjykata Kushtetuese ka vendosur një afat dhe nuk ka vënë ndonjë sanksion, sepse nuk e lejon Kushtetuta të vendosë ndonjë sanksion, më mirë është të zgjidhet presidenti dhe të konstituohet Kuvendi”, ka deklaruar Shala.
Megjithatë, ai vlerëson se meqë tashmë është caktuar dita e nesërme për konstituimin e Kuvendit, atëherë pritet që ky proces të përfundojë.
“Meqë kanë gjetur ditën e nesërme për ta konstituuar, unë mendoj se do ta konstituojnë, sepse përndryshe nuk do ta kishin thirrur”, është shprehur analisti politik.
Shala ka shtuar se pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga edhe për formimin e Qeverisë, ndërsa paralajmëron mundësinë që gjatë këtij procesi të ndryshojnë edhe dinamikat politike sa i përket zgjedhjes së presidentit.
“Qeveria mund të formohet dhe ka mundësi që dinamikat të ndryshojnë për zgjedhjen e presidentit”, ka përfunduar Shala./Gazeta10