
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e ka cilësuar si të rrezikshme deklaratën e deputetit serb, Igor Simiq.
Duke folur në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Rrustemi tha se deklarata e Simiqit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Sipas tij, kjo deklaratë është bërë qëllimshëm dhe paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për karakterin e Republikës së Kosovës dhe shtetin e saj.
“Është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, është kundërshtim edhe me rendin kushtetues. Për më tepër, për bindjen time, është një deklaratë e rrezikshme që mbart një kërcënim të drejtpërdrejtë për karakterin e Republikës së Kosovës dhe për shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Rrustemi.
Ai shtoi se deklarata është e rrezikshme edhe për faktin se, sipas tij, tenton t’i japë komunitetit serb në Kosovë një lloj kapaciteti që nuk e ka.
“Është e rrezikshme edhe për faktin që tenton t’i japë një lloj kapaciteti që nuk e ka komuniteti serb në Kosovë”, tha Rrustemi./Gazeta10