
Një kompani e këmbësorisë nga Regjimenti i Tretë i Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mori pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, të zhvilluar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels, Gjermani.
Në kuadër të këtij ushtrimi, kompania e FSK-së u integrua në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.
Pas përfundimit të fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit adaptues, pjesëtarët e FSK-së u angazhuan në operacione të ndryshme në terren, përfshirë operacione të sigurisë në mbështetje të zbarkimit ajror të batalionit, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.
Aktivitetet e kontingjentit të FSK-së u përcollën gjatë “Observation Day” nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, Gjeneral Brigade Mehmet Lladrovci, së bashku me Rreshter Majorin e KFT-së, Naim Smakolli. Vizita shërbeu për të parë nga afër angazhimin, integrimin dhe performancën e pjesëtarëve të FSK-së gjatë ushtrimit.