
Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dardan Krasniqi, ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, shteti dhe shoqëria kosovare janë përballur me sfidat që kanë prekur njerëzit dhe familjet e lidhura me luftën e UÇK-së.
Krasniqi, i ftuar në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, ka thënë se paaftësia për t’i mbrojtur njerëzit e Kosovës nuk lidhet vetëm me proceset gjyqësore në Hagë, por edhe me mënyrën se si trajtohen këto raste brenda shoqërisë kosovare.
“Ne kemi qenë të paaftë, sikurse edhe sot po tregohemi si shtet që jemi të paaftë me i mbrojt njerëzit tonë. Nuk është veç situata në kuptimin e asaj se çka ndodh me Hagën, është edhe situata e brendshme”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se një pjesë e problemit, sipas tij, qëndron edhe te mungesa e solidaritetit shoqëror me familjet që ndër vite janë përballur me procese, akuza dhe vështirësi të ndryshme.
“Pra, një shoqëri e cila nuk solidarizohet dhe kursen prej gjuhës, të paktën në raport me familjarët”, u shpreh ai.
Krasniqi e lidhi këtë çështje edhe me historinë e gjatë të përballjeve të familjeve të figurave të rezistencës dhe luftës në Kosovë. Ai përmendi disa prej tyre, duke thënë se familjet e këtyre personaliteteve janë përballur vazhdimisht me sfida që, sipas tij, shoqëria kosovare ende nuk i ka trajtuar sa duhet.
“Prej Adem Demaçit që unë e maj mend, Metush Krasniqit e deri te brezi që është i dënuar, Cali e Pjetër Shala, gjithmonë familjet e tyre janë ballafaquar me sfida që akoma sot shoqëria jonë nuk i trajton”, deklaroi veterani i UÇK-së.