Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Nuk jeni vetëm” – Major Arton Hoti kujton solidaritetin e TMK-së pas 11 Shtatorit

Gazeta10
11 September 2026 - 8:50

Me rastin e 25-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Major Arton Hoti, invalid i luftës së UÇK-së dhe ish-oficer i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), ka ndarë kujtimet e tij për një nga ditët më tragjike të historisë moderne amerikane.

Hoti shprehet se 11 Shtatori nuk është vetëm një ditë kujtimi për popullin amerikan, por edhe një ditë që për shqiptarët e Kosovës lidhet me miqësinë dhe solidaritetin e veçantë me Shtetet e Bashkuara.

Sipas rrëfimit të tij, pas sulmeve të 11 Shtatorit, ai ishte ndër të parët që dhuroi gjak dhe organizoi oficerë e ushtarë të TMK-së që të dhuronin gjak vullnetarisht në shenjë solidariteti me popullin amerikan.

“Si invalid i luftës së UÇK-së dhe oficer i TMK-së, kam qenë i pari që kam dhuruar gjak dhe kam organizuar të gjithë oficerët dhe ushtarët për të dhuruar gjak vullnetarisht për popullin mik të Amerikës.”

Për Major Hotin, ky veprim ishte më shumë se një akt humanitar. Ishte një mesazh mirënjohjeje dhe solidariteti ndaj një vendi që, sipas tij, kishte qëndruar pranë popullit të Kosovës në momentet më të vështira.

“Ishte mënyra jonë për t’u thënë miqve tanë amerikanë: ‘Nuk jeni vetëm’,” shprehet Hoti.

Ai kujton me respekt viktimat e 11 Shtatorit dhe familjet e tyre, ndërsa thekson se miqësia ndërmjet popullit shqiptar dhe atij amerikan duhet të ruhet dhe të përcillet edhe te brezat e ardhshëm.

Në mesazhin e tij përkujtimor, Major Arton Hoti shprehet se do të mbetet gjithmonë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës.

“Sa të jem gjallë do të jem mirënjohës, respektues dhe përkrahës i popullit amerikan dhe i miqësisë së përjetshme shqiptaro-amerikane,” thekson ai.

Në këtë ditë përkujtimi, Hoti tha se u bashkohet miliona njerëzve në mbarë botën duke nderuar kujtimin e 2,977 viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit 2001 dhe të gjithë atyre që humbën jetën duke u përpjekur të shpëtonin të tjerët.

“Zoti i bekoftë viktimat e 11 Shtatorit.
Zoti e bekoftë popullin amerikan.
Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikanel, ka perfunduar ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.