
Ka nisur seanca konstituive me afër gjysmë ore me vonesë.
Në rend dite është zgjedhja e nënkryetarëve, mosemërimi i të cilëve u bë shkaku i dështimit të konstituimit të Kuvendit në seancën e kaluar pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut kryeparlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi Ardian Golën për nënkryetar, PDK propozoi Vlora Çitakun, LDK Kujtim Shalën, komunitetet joshumicë joserbe Emilja Rexhepin, ndërsa Lista Srpska Sllavko Simiqin.
Pas propozimit, Haxhiu ftoi përfaqësues të partive për një konsultë dhe më pas tha se nuk kanë dakordim për mënyrën e votimit.
Lëvizja Vetëvendosje më pas tha se nuk do t’i votojë nënkryetarët e propozuar të PDK’së e LDK’së.
Depuetja e Vetëvendosjes, Arëberie Nagavci, për mediat më pas tha: “Propozimet e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku, përkatësisht Kujtim Shala, që të gjithë jemi dëshmitarë që të dy deputetët ndërkohë kërkojnë votë për veten e tyre. I kemi deklaratat se të njëjtit deputetë thonë se nuk do të marrin pjesë në votimin e presidentit dhe po na çojnë drejt zgjedhjeve të reja”.
Përveç kësaj, u problematizua edhe propozimi i Listës Srpska për nënkryetarin nga radhët e tyre për shkak që gjatë propozimit, deputeti Igor Simiq, tha: “Në emër të popullit serb…”.