
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i janë drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese, për të kundërshtuar mënyrën se si është zhvilluar procesi i konstituimit të Kuvendit.
Dy deputetë të PDK-së tashmë ndodhen brenda objektit të Gjykatës Kushtetuese.
Lënda është deponuar nga PDK-ja, e përfaqësuar nga kryetari i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.
PDK-ja kishte paralajmëruar më herët se do ta dërgonte këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar procedurat e ndjekura gjatë konstituimit të Kuvendit.
Partia ka bërë të ditur se në adresimin e saj në Gjykatë do të përfshijë edhe çështjen e formimit të Qeverisë së re, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Qeveria Kurti 4 u votua të dielën në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Në votim morën pjesë 70 deputetë, ndërsa 62 prej tyre votuan pro kabinetit të ri qeveritar.