
Rebelët Huthi të Jemenit kanë marrë kontrollin e dy ishujve strategjikë në jug të Detit të Kuq, Hanish i Madh dhe Hanish i Vogël.
Kjo siç raporton AP, forcon kontrollin e tyre mbi një rrugë të rëndësishme detare.
Zyrtarët Huthi thanë se ishujt u morën të hënën. Ndërkohë, forcat qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite përpiqeshin të rikthenin territoret e humbura.
Përparimi i rebelëve është përqendruar rreth ngushticës Bab el-Mandeb. Ajo përbën një rrugë alternative për transportin detar, pas mbylljes së ngushticës së Hormuzit.
Në kohë paqeje, rreth një e pesta e naftës dhe gazit të tregtuar në botë kalon përmes Hormuzit.
Arabia Saudite po e përdor Bab el-Mandebin për eksportet e naftës së papërpunuar. Kontrolli i ishujve mund të rrisë presionin mbi dërgesat saudite dhe çmimet globale.
Marrja e tyre pason pushtimin e portit Mokha dhe një ishulli tjetër strategjik gjatë javës së kaluar, veprim ky I bërë po nga huthët.
Ndërkohë, Irani akuzoi Arabinë Saudite se ndikoi në shtyrjen e një takimi rajonal për ngushticën e Hormuzit, që siç raporton AP do të organizohej nga Omani ndërsa synonte të mblidhte Iranin dhe shtetet e tjera të rajonit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Teheran, Esmail Baghaei, tha se Riadi kërkoi shtyrjen e tij.
Sipas tij, Irani dhe Omani kanë përfunduar një marrëveshje për ngushticën. Përmbajtja e saj pritet të bëhet publike më vonë.
Një zyrtar tha se Arabia Saudite kishte propozuar ndryshime në marrëveshje.