
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se nuk pret përkeqësim të situatës më 16 shtator, ditën kur në Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Syla thekson për KosovaPress se, OVL-UÇK nuk ka informacione për ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatës, ndërsa ka bërë të ditur se veteranëve u është bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.
Në prag të kësaj date, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka lëshuar një paralajmërim për sigurinë, duke bërë të ditur se më 16 shtator priten demonstrata të mëdha. Ambasada ka këshilluar gjithashtu personelin e Qeverisë amerikane që të shmangë udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.
Syla, për KosovaPress ka thënë se edhe ish-ushtarët e UÇK-së, janë “ushtarë amerikanë”, prandaj sipas tij, nga ana e OVL-së nuk do të ketë përshkallëzim të situatës.
“ E kemi pa reagimin. ka ndodhur në bazë të një analize të tyre. Si OVL, nuk kemi ndonjë informacion të mundshëm për ndonjë përkeqësim të situatës. Duhet ta dinë, se ushtarët e UÇK-së janë edhe ushtarë amerikanë, prandaj ne nuk e shohim ndonjë përkeqësim apo incident, po flas në emër të atyre që përfaqësojmë. Sa i përket Policisë, kjo është punë e tyre. Ne u kemi bërë thirrje veteranëve, që të jenë të qetë dhe të përmbajtur”, ka thënë Syla.