
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet që sot, të martën, ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kontestimin e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, kishte paralajmëruar një ditë më herët se kërkesa do të dorëzohet gjatë mëngjesit, ndërsa kishte bërë të ditur se PDK-ja do të mbajë edhe një konferencë për media pranë Gjykatës Kushtetuese në orën 09:00.
“Do të kontestojmë vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Albin Kurtit, dhe do të kontestojmë çdo vendim që del nga ky Kuvend i themeluar në këtë rrugë”, ka thënë Gruda.
PDK-ja pretendon se mënyra e konstituimit të Kuvendit dhe procedurat e ndjekura pas tij kanë probleme kushtetuese, ndaj kërkon që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë ligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë.