
Analisti politik Halil Matoshi, në një prononcim për Kanal10, ka folur për luftën e Kosovës dhe për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Matoshi ka theksuar se vlerat e përbashkëta evropiane dhe perëndimore, sipas tij, nuk do ta lejonin që lufta çlirimtare e Kosovës dhe figurat që ishin bartëse të saj të trajtoheshin si pjesë e një organizate kriminale.
“Vlerat e përbashkëta evropiane, vlerat e përbashkëta perëndimore, madje nuk kanë me e ndjek luftën çlirimtare të Kosovës, përkatësisht këta burra që kanë qenë bartës të asaj lufte”, është shprehur Matoshi.
Ai ka argumentuar se Kosova nuk do ta kishte marrë mbështetjen e NATO-s dhe të shteteve më të fuqishme demokratike perëndimore nëse lufta e UÇK-së do të ishte konsideruar si një organizatë e përbashkët kriminale.
Sipas Matoshit, faktorët ndërkombëtarë kanë pasur informacion të detajuar për palët në konflikt, për zhvillimet në Kosovë dhe për natyrën e luftës.
“NATO dhe faktorë të tjerë të shteteve kanë pasur informacion, e kanë ditur shumë mirë me kë kanë të bëjnë dhe për çka është kjo luftë”, ka deklaruar ai.
Matoshi ka vlerësuar se mbështetja e NATO-s dhe veçanërisht e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës ishte një tregues i rëndësishëm për karakterin e luftës, duke theksuar se Kosova doli fituese dhe se Serbia e kohës së Slobodan Millosheviqit u mposht./Gazeta10